Gjuta, 15 ditë në burg për telefonin-bombë

16/02/2015 00:00

Pavarësisht se e la në burg për 15 ditë, Gjykata e Krimeve të Rënda e konsideroi të paligjshëm arrestimin e Emirjon Gjutës, i dyshuar se po pengon zbardhjen e së vërtetës në atentatet me tritol të ditëve të fundit.

Kjo, pasi arrestimi i 26-vjeçarit, një shitës telefonash në Tiranë, rezulton të jetë kryer pa urdhër ndalimi nga prokurori, deklaroi avokati i tij, Qazim Gjoni.

Vetë Gjuta mësohet të ketë thënë se nuk e njeh personin që i shiti për 25 mijë lekë aparatin celular që më pas dyshohet të jetë përdorur në ngjarjen e farmacisë së shtetasit Bashkim Tahiri.

“Ka treguar gjithë aktivitetin e tij të datës 9, kur ka blerë këtë aparat celular dhe e ka shitur të njëjtën ditë. Ai nuk e dinte se ky celular do të përdorej nga dikush për qëllime kriminale për persona të caktuar, apo për të krijuar panik tek qytetarët”, deklaroi Gjoni.

“Ai nuk ka lidhje fare me tritolin. Ai ka lidhje vetëm me punën, shkollën dhe hallet e familjes së vetë. Celularin ia shesim gjithëkujt”, deklaroi i ati i 26-vjeçarit, Ramiz Gjuta.

Gjatë kohës që Gjuta do të qëndrojë në paraburgim, prokurorisë i duhet të gjejë prova për dyshimet e saj mbi 26-vjeçarin. Nga ana tjetër, për ngjarjet e tjera me tritol që tronditën kryeqytetin javën e kaluar, prokuroria thotë se ende nuk ka pista konkrete.

Top Channel