Greqia i konsideron të vështira bisedimet me partnerët ndërkombëtarë, por është optimiste se në fund të bisedimeve do të arrihet një marrëveshje që do të kënaqë të dyja palët.

“Janë bisedime intensive dhe të vështira, por në fund Europa do të bëjë të njëjtën hile dhe do të gjejë një marrëveshje të mirë, të ndershme. E bëmë këtë të mërkurën e kaluar, do ta bëjmë sërish”, deklaroi para gazetarëve Yanis Varoufakis, Ministër i Financave i Greqisë.

Sa i përket programit aktual, ai shprehu edhe njëherë tjetër zotimin e qeverisë së re greke për të ndryshuar atë dhe për të lehtësuar qytetarët nga barrat e rënda fiskale.

“Europa e ka të vështirë të kuptojë që Greqia ka një qeveri të re të vendosur për të ndryshuar këtë program që ka dështuar në sytë e të gjithëve ne. Refuzuam këtë program sepse këtë program e quajmë pjesë të problemit dhe jo pjesë të zgjidhjes dhe për këtë u votuam nga populli grek”, tha ai.

Të mërkurën e kaluar me propozim të Komisionerit të Çështjeve Financiare, Pierre Moscovici, Kryeministri grek Tsipras dhe kreu i Eurogrupit Djisselbloem ranë dakort mbi një marrëveshje urë, ku Athina zotohej se nuk do të prekte asnjë prej masave shtrënguese aktuale deri në muajin gusht.

Kjo marrëveshje do t’u jepte kohë palëve për të vazhduar bisedimet, por në takimin e së hënës të Eurogrupit, Varoufakis tha se në tryezë u paraqit një tjetër dokument dhe jo ai që ishte rënë dakort me herë. Sipas tij, athina kërkon zgjatjen e huasë, por jo të masave shtrënguese të imponuara nga huadhënësit.

“Të mërkurën e shkuar u ra dakort mes Dijsselbloem dhe Tsipras për të gjetur një rrugë të mesme mes programit ekzistues që mbështet Greqinë dhe propozimeve të qeverisë së re greke. Deri në gusht propozuam që të mos ndryshonim asgjë nga masat shtrënguese. Kërkojmë zgjatjen e huasë, jo të programit. Ne nuk jemi të interesuar t’i bëjmë ndryshime kozmetike masave shtrënguese. Jemi të gatshëm të nënshkruajmë një marrëveshje, por pa rënduar krizën humanitare në shoqërisë greke”, deklaroi Varoufakis.

Top Channel