Ukrainë, armëpushimi në prag kolapsi. BE shton sanksionet, reagon Moska

16/02/2015 00:00

Rebelët prorusë kanë rrethuar herë pas herë forcat qeveritare të Ukrainës gjatë së hënës, ndërkohë që Kievi ka bërë të ditur se nuk do të tërheqë armatimet e rënda për sa kohë që marrëveshja e armëpushimit po shkelet, duke lënë kështu paktin e ndërmjetësuar nga europianët për paqe në prag të kolapsit.

Bashkimi Europian ka ruajtur të pandryshuar presionin ndaj Rusisë dhe rebelëve, duke njoftuar një listë të re me emra separatistësh dhe rusësh të goditur nga sanksionet, ndaj së cilës Moska premtoi se do të jepte “përgjigjen e përshtatshme”.

Luftimet u ndalën në shumë pjesë të lindjes së Ukrainës, falë armëpushimit të hyrë në fuqi gjatë mesnatës së të dielës, bazuar mbi marrëveshjen e arritur javën e kaluar në maratonën e bisedmieve mes udhëheqësve të Francës, Gjermanisë, Rusisë dhe Ukrainës. Por, paqja duket se është në prag të dështimit në qytetin Debaltseve, ku janë zhvilluar edhe luftimet më të ashpra gjatë javëve të fundit.

“Situata është e brishtë”, tha Kancelarja gjermane Angela Merkel, forca kryesore udhëheqëse pas marrëveshjes së arritur të enjten, pas bisedimeve përreth një nate të tërë në kryeqytetin bjellorus, Minsk. “Gjithmonë ka qenë e qartë se mbetet ende shumë për të bërë. Dhe po gjithmonë kam thënë se nuk ka asnjë garanci, që të tregojë se ajo që po bëjmë do të ketë sukses. Do të jetë një rrugë ekstremisht e vështirë për t’u ndjekur”, tha ajo për reporterët në Berlin.

Merkel, së bashku me udhëheqësit e Francës dhe Ukrainës, shprehën shqetësimin në lidhje me luftimet e vazhdueshme në Debaltseve, si dhe thanë se vëzhguesit nga OSBE duhen të kenë “akses të lirë” për të punuar në lindje të Ukrainës.

Rebelët, vetëm pak pasi kishte hyrë në fuqi armëpushimi, thanë se nuk kanë aspak ndërmend të respektojnë atë sidomos në Debaltseve, ku ata kanë avancuar që prej janarit, e tashmë kanë rrethuar një njësi të tërë forcash ukrainase.

Uashingtoni ka bërë të ditur se operacioni i rebelëve përreth qytetit, që ndodhet në kryqëzim të rrugëve tokësore por edhe hekurudhore, po asistohet nga forcat e armatosura ruse, gjë që Moska e mohon.

Reporterë të “Reuters” pranë frontit të luftës kanë thënë se Debaltseve është bombarduar pandalim nga artileria e rëndë. Të paktën 6 tanke, ashtu sikurse dhe autoblinda dhe armatime mund të shihen pranë pyejeve të Vuhlehirsk, 10 km në perëndim të Debaltseve, zonë e pushtuar nga rebelët një javë më parë.

Një komandant i rebelëve, Eduard Basurin, ka thënë se trupat ukrainase kanë shkelur armëpushimin plot 27 herë gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa nga ana tjetër, Kievi thotë se forcat ushtarake janë bombarduar më shumë se 100 herë në lindje të Ukrainës, që kur armëpushimi hyri në fuqi, duke vrarë 5 ushtarë dhe duke plagosur 25 të tjerë. Për pasojë, nuk mund të përmbushet marrëveshja për tërheqjen e armatimeve të rënda në të tilla kushte.

“Parakushti për tërheqjen e armatimeve të rënda po përmbush pikën 1 të marrëveshjes së Minskut: armëpushimi. Rreth 112 sulme të deritanishme nuk janë një tregues i armëpushimit”, tha zëdhënësi ushtarak i Kievit, Andriy Lysenko. Ndërsa lideri i rebelëve, Denis Pushilin, u përgjigj duke thënë se forcat e tij ishin “të gatshme vetëm për një tërheqje të përbashkët të armatimeve të rënda”.

Gjithsesi, vendet perëndimore kanë deklaruar se rezervojnë ende mundësinë për të zgjeruar sanksionet ekonomike ndaj Moskës, me shpresën se kriza gjithnjë e në rritje financiare do ta detyrojë Putinin të përdorë influencën e tij ndaj rebelëve për të ndalur luftimet. Por, disa të tjerë i frikësohen faktit se Putin dëshiron që konflikti të zgjasë për vite me radhë, në mënyrë që Kievi të mos e kontrollojë më lindjen e vendit, ndërsa Rusia të rimarrë influencën atje.

Lista e re e sanksioneve të BE-së përfshin 19 persona dhe 9 organizata të goditura nga ngrirja e aseteve dhe kufizimi i fluturimeve, dhe dominohet nga separatistët ukrainas por edhe një këngëtar rus, Iosif Kobzon, shpesh i konsideruar si ekuivalenti rus i Frank Sinatras, ashtu sikurse dhe dy zëvendësministra të Mbrojtjes në Rusi.

“Një gjë është e qartë. Vendimi, i cili do të ndiqet nga një përgjigje e përshtatshme, është marrë në kundërshtim të mirëkuptimit dhe nuk do të ndihmojë përpjekjet për të gjetur një zgjidhje të konfliktit ukrainas”, bëri të ditur Ministria e Jashtme ruse.

Top Channel