Egjipti, valë të dytë sulmesh ndaj ISIS-it në Libi. Kërkon mbështetje ndërkombëtare

16/02/2015 00:00

Avionët luftarakë egjiptianë ndërmorën një valë të dytë sulmesh ajrore kundër objektivave të ISIS në Libi, gjatë së hënës, në shenjë hakmarrjeje për masakrën e 12 të krishterëve egjiptianë nga militantët e ISIS, bën të ditur agjencia shtetërore egjiptiane “Ahram Online”, duke cituar burime të sigurisë.

Sulmet ajrore erdhën pas një tjetër vale më herët gjatë ditës, që goditën kampet e ISIS, fushat e trajnimit dhe depot e armëve, siç njoftoi një deklaratë e ushtrisë egjiptiane.

“Hakmarrja për gjakun egjiptian dhe dënimi i kriminelëve dhe vrasësveë është e drejta dhe detyra jonë”, bëri të ditur ushtria egjiptiane në deklaratën e transmetuar edhe në televizionin shtetëror.

Ministria e Jashtme egjiptiane tha se sulmet ajrore shënjestruan vendndodhjet e ISIS në Derna. “Nëse e lëmë situatën në gjendjen aktuale në Libi, pa një ndërhyrje të vendosur për të kufizuar organizatat terroriste, do të jetë një kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, thoshte Ministria.

Ende nuk është bërë e qartë sesa dëme apo viktima kanë shkaktuar sulmet ajrore. Ofensiva bombarduese erdhi pasi ISIS publikoi një video të frikshme gjatë së dielës, që shfaqte militantët e ISIS të ekzekutonin me prerje koke disa njerëz, që sipas tyre ishin të krishterë nëpër plazhe.

Pamjet televizive, me shumë prej shenjave dalluese të videove të mëparshme të vrasjes së pengjeve, kanë intensifikuar shqetësimet ndërkombëtare në lidhje me thellimin e hyrjes së Shtetit Islamik nëpër vende të tilla, shumë larg bastioneve kyçe si Siria dhe Iraku.

Presidenti egjiptian, Abdel Fattah el-Sisi, ka paralajmëruar të dielën se vendi i tij “rezervon të drejtën për hakmarrje dhe me metodat që sheh të arsyeshme mbi kufizime kohore, për të ndëshkuar vrasësit dhe kriminelët që janë pa ndienjat më të vogla të humanizmit”.

Ai deklaroi gjithashtu një javë zi në kombin me shumicë muslimane, për të krishterët e masakruar.

Në një deklaratë, Ministria e Jashtme Egjiptiane bëri thirrje ndaj kombeve që po luftojnë ISIS, të mbështesin përpjekjet e Egjiptit dhe të shënjestrojnë terroristët në Libi, ashtu siç po bëjnë egjiptianët.

Qeveria amerikane dënoi vrasjet, duke thënë se “barbaria e ISIS nuk njeh kufij”. Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, thirri ministrin e Jashtëm egjiptian, Sameh Shoukry, të dielën, për t’i ofruar ngushëllimet, siç njoftoi Departamenti i Shtetit.

Top Channel