Ismail Kadare, Shqip në Jeruzalem

16/02/2015 00:00

Shkrimtari Ismail Kadare është  fitues i Çmimit të Jeruzalemit në Letërsi për vitin 2015. Një ngjarje e tillë shënon një gur  kilometrik në rrugën e e letërsisë shqipe dhe kamera e Top Channel e solli këtë moment ekskluziv këtë të hënë në emisionin `Shqip`.

Çmimi i Jeruzalemit, që në qarqet letrare botërore, konsiderohet si pararendës i Nobelit për letërsi, iu dha shkrimtarit shqiptar që më shumë se gjysmën e veprës së tij e kishte shkruar në robëri.

Kadare nuk u rrëfye vetëm për letërsinë, për çmimin dhe për librat e tij shumëgjuhësh me gazetaren Rudina Xhunga. Kadare foli si autoritet intelektual për eksodin e  shqiptarëve çerek shekulli më parë, për eksodin e shqiptarëve të Kosovës tani në vitin 2015, për debatin e vjetër dhe të ri të hapjes së dosjeve në Shqipëri, për përplasjet globale dhe identitetin e Ballkanit në këto zhvillime dhe për fuqinë e ndriçimit të brendshëm të një populli që po përpiqet të kapërcejë tranzicionin.

Motivacioni i Çmimit të Madh të Jeruzalemit

Ismail Kadare, autor shqiptar me talent të rrallë, një nga shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit XX dhe XXI. Shumë prej librave të tij janë ndërtuar rreth të shkuarës historike dhe kujtesës kolektive të popullit shqiptar, si dhe denoncojnë shtypjen e regjimeve totalitare që vazhdonin në Shqipëri.

Historitë pasionante që rrëfen Ismail Kadareja janë  servirur me një shkrim thumbues, të rrethuara nga një bukuri e madhe poetike dhe stil mbresëlënës. Karakterizohen nga personazhe të pasura, me shumë zëra, me përshkrime të bollshme peizazhezh, me një mendjehollësi të fuqishme, rrëfim që endet shpesh midis ndërgjegjes së brendshmes dhe të jashtme të personazheve. Ismail Kadareja përdor perspektiva të ndryshme, ikje dhe kthime të ndryshme në kohë dhe hapësirë, dhe zbulon pa ndërprerje kufijtë e depërtueshëm të realitetit dhe imagjinatës, të komikes e të tragjikes.

Ismail Kadareja shkruan mbi fajin kolektiv e në veçanti mbi  kërkimin e të vërtetës. Ai kërkon të zbulojë, duke e mbuluar qasjen e tij nëpërmjet miteve e metaforave, pyetje të mbetura pa përgjigje e krime të pafalshme. Edhe pse subjektet dhe heronjtë e preferuar të Kadaresë janë lokalë, domethënia dhe rëndësia e tyre janë pa dyshim universale.

Struktura mahnitëse e veprave të tij karakterizohet nga  larmia e zërave, një bashkim kontradiktash e paradoksesh që ndikojnë fatin e kolektivit dhe shprehin mjerimin e individit. Duke qenë të ndërgjegjshëm për karakterin unik të angazhimit e tij humanitar, vendosëm t’i japim këtij autori Çmimin e Jerusalemit, për të vlerësuar lirinë e njeriut, e cila është nën kërcënim të vazhdueshëm në shoqërinë bashkëkohore.

***

Rudina Xhunga: Ishte një ceremoni e jashtëzakonshme ceremonia e çmimit, në YMCA,  Jeruzalem. Çfarë lloj çmimi është ky në kategorinë e çmimeve tjera që ju keni marrë?

Ismail Kadare: Është e vërtetë që dimensionet e kremtimit të tij janë shumë të ndjeshme, shumë të fuqishme. Ishte presidenti i vendit, i cili foli relativisht gjatë, gjë e rrallë, dhe foli si profesionist, duke analizuar veprën në mënyrë konkrete. Presidenti paraardhës,  ishte gjithashtu njohës dhe mik i letërsisë, unë e kam takuar disa herë, madje një herë ka bërë diçka të çuditshme. Me rastin e daljes së librit tim “Piramida” u bë një promovim për botimin në gjuhën hebraishte. U habita kur më thanë do ta kryesoj vet Shimon Perez. E kryesoi takimin si profesionist, me librin përpara, me nënvizime, duke theksuar anë të ndryshme. Dmth në këtë vend ka një traditë shumë të bukur që çmohet letërsia në nivelin më të lartë. Ky vend ka një status për t’u pasur zili në botë.

Rudina Xhunga: Presidenti në fakt më bëri përshtypje kur fliste për librin tuaj “Aksidenti”. Menjëherë shkova më pas ta gjeja librin në hebraisht. Kishte shumë libra të tjerë tuaj, të botuar. Këtu, ju keni shumë lexues .

Ismail Kadare: Libri “Aksidenti”, është një libër i imi, i zakonshëm, nuk është as ndër të shquarit, as ndër ata më të paktët, si të thuash. Për çudi këtu ka pasur përhapje dhe sukses të ndjeshëm. Ky është fakt. Edhe unë u çudita kur përmendi disa herë këtë roman, siduket i ka pëlqyer mjaft.

Rudina Xhunga: Më ka bërë përshtypje, kur kam intervistuar dy shkrimtarë izraelitë Amos Oz  dhe David Grossman dhe të dy  flisnin për ju. Madje nuk harroj fjalën e Amos Oz: “Ka hapur një dritare për mua për të njohur Shqipërinë, e kam njohur nëpërmjet tij”.
Çfarë bisede bën një shkrimtar me një shkrimtar tjetër?

Ismail Kadare: Është shumë e lehtë kur niveli i shkrimtarëve është pak a shumë i njëjtë, psikologjia e tyre është pak a shumë e ngjashme. Tjetër gjë është kur një shkrimtar është tepër i njohur, tjetri më pak i njohur e që dëshiron të njihet dhe bëjë karrierë por ska arritur ende.

Rudina Xhunga: Jeni ju i pavëmendshëm ndaj çmimeve? I keni marrë të gjithë çmimet që keni dashur?

Ismail Kadare: Në botë ka shumë çmime, por njeriu nuk mund të dalldiset pas çdo çmimi që merr.  Çmimet kryesore dihen kush janë, unë kam marr disa ndoshta shumicën e çmimeve kryesore, që është Man Booker Prize, i cili jepet nga Britania e Madhe. Është çmimi që jep Spanja , çmimi Princi Asturias, ka disa ditë që është bërë Princesha Asturias ngaqë Princi u bë Mbret. Çmimi tretë më i rëndësishëm është ky i Jerusalemit megjithëse nuk mund të thuash se është aq i njohur sa këta në planin e përditshëm, por është  shumë i fuqishëm, i theksueshëm nga ana morale, edhe temën e ka të bukur, jepet për lirinë në letërsi. Një çmim që e çmojnë shumë sidomos shkrimtarë që vijnë nga një botë problematike, nga një botë ende e pasqaruar mirë, siç është bota ish komuniste, ende me arkiva të mbyllura. Unë e thashë dje edhe në fjalim, që Shqipëria është shteti i fundit në hapjen e dosjeve sekrete. Liria është gjëja më sublime që ka krijuar njerëzimi, madje qëndron mbi njerëzimin vet. Nëse mund të mburret njerëzimi me diçka është se ka krijuar paradigmën e lirisë, por që ai ende nuk e arrin dot. Njerëzimi është nën nivelin e lirisë.

Rudina Xhunga: Ka një debat të madh për hapjen e dosjeve. Gjithmonë përsëritet ky debat, duket sikur je afër dhe asnjëherë nuk ndodh.

Ismail Kadare: Eshtë një turp që kjo nuk po ndodh. Nuk ka asnjë arsye objektive që mos të ndodhë. Ka shumë avokatë të moshapjes së dosjeve që gjejnë nga mënyrat më meskine për ta përligjur.Disa  fillojnë nga një frazë që duhet ta keni dëgjuar shpesh; ata që bërtasin më shumë për hapjen e dosjeve e kanë mizën nën kësulë. Kjo është një mënyrë shumë dinake, vulgare dhe meskine për ta bllokuar procesin. Njerëzit thonë se prit se unë nuk po flas, mos kujtojnë të tjerët se kam ndonjë dosje. Janë mënyra të ulëta, dekurajuese. Ç’ti hapësh? Ato janë prishur të gjitha, janë vjedhu; thonë të tjerë.  Asnjëherë nuk ka hapje dosjesh dhe arkivash, pa nxjerrë të vërteta të mëdha, pa nxjerrë të vërteta të hidhura për një shoqëri. Mirëpo bllokimi që i ka bërë Shqipëria vite me rradhë, justifikimet që kanë bërë pseudoanalistët , ndonjëherë mediat, akademikët, kanë  një marrëveshje dinake të përgjithshme që kjo gjë mos të ndodhë. Kjo gjë na turpëron, sepse vendet e tjera sidoqoftë, mirë apo keq i kanë hapur, ne jemi në gradën më të fundit në Europë dhe nuk vazhdohet me arsyetime boshe për të kryer një gjë që duhet kryer. Shqyrtimi i ndërgjegjes njerëzore është absolut. Nuk është një luks, është një domosdoshmëri, nuk është një trill a kapriço, jo është i detyrueshëm. Hapja e dosjeve nuk është kuriozitet. Çdo vend që ka shkuar përpara, falë kësaj ka shkuar.

Rudina Xhunga: Pse ju mendoni që mund ta çoj përpara Shqipërinë hapja e dosjeve?

Ismail Kadare: Vetvetiu e çon përpara. E nuk është siç thonë disa se do ndodhë tragjedi, do të ndodhë armiqësi, do të ndodhë ftohja e madhe. Jo, nuk është e vërtetë. E vërteta sado e hidhur të jetë ka logjikën e saj, ka një gjë pozitive brenda.

Rudina Xhunga: Ju folët për dosjet ashtu siç pranuat edhe faktin se vepra juaj ka një problem me lirinë për shkak se është vepër e shkruar në robëri. I ktheheni shpesh shpjegimit të veprës suaj, e ndjeni ju të nevojshme ta shpjegoni veprën, veten, Ismailin, Kadarenë?

Ismail Kadare:  Ke disa detyrime kur je person publik. Unë mund të them mos më çani kryet, merruni ju, bëni ç’të doni, unë jam shkrimtar e nuk merrem, por herë pas here duhet të merresh, kur mashtrimi bëhet kaq publik, kur kalon çdo kufi, saqë është mëkat ta lësh të përhapet akoma më shumë.  Më vjen turp ta përmend si shembull se është fare vulgar, por është hapur një legjendë sikur unë paskam sharë refugjatët shqiptarë. U bë gati gjë zyrtare, u detyrova të ndërhyj dhe nuk ia dola. Mashtrimi ishtë aq i fortë, saqë e mundi të vërtetën. Kohët e fundit ndodhi një ngatërresë me një revistë të huaj, i doli emri dikujt, e ky mashtrim u vu në revistë ndërkombëtare. Revista më pas kërkoi ndjesë. Është mirë, kur ka raste të tilla, të ndërhysh. Rasti i shkrimtarëve që kanë krijuar në joliri, në robëri, kjo është gjithashtu një nga rastet e mashtrimeve, që kanë prirje të bëhen zotëruese. Thuhet se ne që kemi shkruar në atë kohë vetvetiu kemi bërë letërsi të keqe, ose letërsi që s’ka pse të jetojë më. Ky problem duhet sqaruar. Letërsia është absolutisht shpërfillëse nga regjimi shoqëror, regjimi mund t’i bjerë në qafë, mund ta fusë në burg, ta pushkatojë shkrimtarin, ta torturojë por s’ka ç’i bën letërsisë, nuk e ndryshon dot letërsinë. Fakt që në kohën e Stalinit, në ish Bashkimin Sovjetik janë bërë tmerret më të mëdha dhe prapë shkrimtarët më të shquar të shekullit janë ata që kanë jetuar nën presionin stalinist. Letërsia është kundërshtim i tiranisë. Nëse është letërsi normale është antitiranike. Vetëm letërisa e keqe nuk është as antitiranike, nuk është asgjë në të vërtetë.

Rudina Xhunga: Në fakt nuk kanë dashur të thonë se letërsia juaj ishtë e keqe, kanë dashur të thonë se letërsia juaj, ju bën juve përfaqësues të realizmit socialist.

Ismail Kadare: Kjo s’ka asnjë kuptim. Çfarë kuptimi ka realizëm socialist? Realizëm i kohës së socializmit, është fare normale. Letërsi e kohës së komunizmit.  Letërsi e realizmit socialist është letërsia që u krijua në atë kohë. Kjo fjalë as e dëmton, as e justifikon, as e lavdëron, nuk bën asgjë, është thjesht një term që e tregon, asgjë tjetër. Këtu janë thjesht spekullime të pafundme që bëhen. Disa thonë se na mbytën këto shkrimtarët e realzimit socialist, disa thonë se këta kanë mbetur po këta korifej edhe sot. Po kush i cakton këta si korifej? Letërsia ka ligjet e saj, s’ke ç’i bën ti si shtet. Letërsinë nuk e prish dot regjimi, letërsinë e prishin vet shkrimtarët. Pra nqs një regjim fabrikon shkrimtarë të pandërgjegjshëm, vetëm ata mund ta prishin letërsinë. Ashtu si një mur nuk ke nevojë ta rrëzosh duke e goditur  me top, me artileri, por i vë tulla të këqija, që kur të kalojë pak kohë, të rrëzohet vetë. Pra po ne mund ta prishim letërsinë, po ne mund ta ndreqim. Ne jemi përgjegjës për të këqijat e saj, ne kemi meritën për të mirat e saj, ne shkrimtarët. Askush tjetër.

Rudina Xhunga: Po demokracia çfarë ndikimi ka te letërsia?

Ismail Kadare: Për çudi as demokracia, as liria që është gjëja më sublime në botë nuk e përmirëson dot letërsinë, ky është vërtetimi i kumit të pavarsisë së saj.

Rudina Xhunga: Dua t’i rikthehem edhe njëherë momentit që është folur për njerëzit që ikin, për njerëzit që lanë Shqipërinë. Është shkruar shprehimisht, Ismail Kadare tha se ata janë jashtëqitja e kombit.

Ismail Kadare:  Kur ndodhi ikja e refugjatëve, akuza ishte e tmerrshme sepse doli që shkrimtari më i shquar shqiptarë i quajti brezin e ri që lë Shqipërinë atë që thatë juve, s’dua as ta përmend.  Kjo ka ndodhur në fund të verës së 90, për 2- 3 javë unë do të ikja vetë. Kur kam ikur, unë kam bërë një hymn për këtë, për djemtë e vajzat që lanë Shqipërinë në atë mënyrë tragjike, e botova në shqip dhe në frëngjisht. Thashethemi u përhap, në fillim për të ekuilibruar këtë gjë, pas kësaj thashethemi u shumëfishua në formë hakmarrjeje kundër shkrimtarit. Unë shkrova diçka vërtet tronditëse, e kam botuar disa herë, kam përshkruar tablonë më dramatike që kam në letërsinë time, natën e ikjes së refugjatëve shqiptarë. Mashtrimi ka fituar mbi këtë fakt. Dhjetë herë mund të kem ndërhyrë unë për të korrigjuar këtë trillim, e pamundur, trillimi triumfonte gjithmonë. Kur u përsërit edhe në një revistë ndërkombëtare, u bë një skandal ende i pasqaruar plotësisht. Diktatura është jashtëzakonisht hakmarrëse, edhe e rrëzuar është hakmarrëse, ka mekanizmat e saj që veprojnë, është një frymë që ka mjete konkrete për të vepruar.

Rudina Xhunga: Çfarë e mban akoma gjallë këtë frymë?

Ismail Kadare: Këtë e mban një mllef i madh, një dëshpërim i madh që Shqipëria s’është më e tyre. Ka shumë njerëz që nuk e duan këtë lloj Shqipërie, njerëz që thonë; Shqipëria mos qoftë. Nuk e duan për disa arsye, se kanë humbur privilegjet e tyre, kanë humbur pushtetin që kishin, kanë humbur arrogancën e tyre, kanë humbur gjithçka, gëzohen, kur këtij vendi i shkojnë keq punët, shpirti ua do, që meqë nuk e gëzuan ata,  Shqipërine, mos ta gëzojë askush.
Kjo është gjëja më e keqe që po ndodh në Shqipëri, një frymë mosbesuese, një frymë e theksuar kultivimi dëshpërimi, e mungesës së shpresës. Po të shikosh njerëz krejt normalë, ndonjëherë, kur i pyet,  pse ikni nga Shqipëria, thonë: Se kemi humbur shpresën. Ç’shpresë? Ai nuk di ç’është shpresa, koncepti shpresë. Çfarë shprese humbi ai njeri i thjeshtë, që lë shtëpinë e vet, lë tokën dhe ia mbath të arrijë në Vlorë, sepse u hapën fjalë se ka dy anije. Si shkon me gra dhe fëmijë, ky njeri?

Rudina Xhunga: Po mos ndoshta nuk ka asgjë çfarë t’i mbajë në atdhe…

Ismail Kadare: Popujt nuk jetojnë me filozofira, apo kalkulime, a ka gjë që më mban në këtë vend apo s’ka. Ngulitja e qenies njerëzore është e natyrshme, qytetërim do të thotë ngulitje. Në fillim kanë qenë dy rryma që janë ndeshur, nomadizmi, ata që donin të ecnin vazhdimisht, mos nguleshin askund dhe ata që ju lindi në kokë ideja që të rrinë në një vend. Kanë luajtur një rol të madh në ngulitje gratë, e më specifikisht gratë shtatëzëna, sepse një grua shtatëzënë nuk ecën dot. Mesa duket ato miliona gra anonime në botë, në  miliona mënyra kanë ushtruar trysni tek burrat që mos të lëvizin. Keshtu lindën dy rryma, nomadët dhe sedentarët. Këto u bënë armiq për vdekje, ata që kishin atdhe, ata që skishin atdhe, sdonin të kishin atdhe.  Ajo që quhet ngulitje është një nga paradigmat e njerëzimit, ngulitja, liria, qytetërimi. Kështu lindi qytetërimi, u rrethua ai vendi ku do të rrimë, ta mbrojmë atë vend, të kemi varret, të kemi kujtimet, kështu u krijuan gjuhët, kujtimet historike, ai vullneti përbashkët që njerëzit të rrinë bashkë, të jenë të afërt për njëri tjetrin.

Rudina Xhunga: Në 1999 kam qenë në Paris, në shtëpinë tuaj ndërsa po bombardohej Serbia, atëherë ju kishit frikën e luftës por edhe shpresën e krijimit të shtetit të Kosovës. 16 vjet më pas jemi në Jerusalem, ndërkohë Kosova po zbrazet.

Ismail Kadare: Të them të drejtën unë nuk pretendoj të shpjegoj misteret e kësaj bote, për mua është një mister, ose ka pamjen e një misteri, përderisa organizmat që janë përgjegjës për këtë gjë, që duhet të jepnin shpjegime nuk po japin. Kjo është një ethe e pakuptueshme. Si e humbën shpresën këta njerëz të Kosovës kaq shpejt? Çduhet të thotë Greqia që ka 300 miliardë borxhe dhe s’di ku do t’i gjejë paratë, e përsëri nuk po e humb shpresën. Pra këtu po ndodh diçka e pashpjegueshme për mua. Thuhet kushtet ekonomike, është e vërtetë që kushtet ekonomike luajnë rolin e tyre, por vetëm marksizmi e shpjegon çdo gjë me kushtet ekonomike. Po ndodh diçka jonatyrale, diçka që është kundërthënëse me tërë atë flijim të madh që bëri Kosova për të fituar lirinë. Nuk ikin njerëz të një kategorie të caktuar, ta zëmë po ikin filozofët, sepse nuk paska nivel të mjaftueshëm filozofik në Prishtinë, për të zhvilluar idetë e tyre, ose po ikin disa kategori njerëzish të caktuar, që paragjykohen normalisht, etj. Këtu po ikin njerëz të të gjitha kategorive, po ikin njerëz të thjeshtë, pleq, fëmijë, gra të martuara,  edhe gratë shtatëzëna që është në kundërshtim me atë që thashë në fillim, me ligjin  numër 1 të qytetërimit. Çfarë logjike i shtyn? Nuk gjej shpjegim.

Rudina Xhunga: Po serbët duan të thonë se shpjegimi është se shqiptarët nuk e bënë dot shtetin.

Ismail Kadare: Serbët sigurisht nga kjo gjë nuk mund të kenë veçse një lloj kënaqësie, që këta njerëz nuk paskan një lloj problemi me lirinë, se lirinë e paskan. Ka disa teori serbe. E para se po bëhet një shtet islamik në Europë, duke u shtuar xhamitë në Kosovë, duke u shtuar predikimet, rrjetet sociale fetare, radikale disa herë, sigurisht është një kënaqësi për serbët që u del një profeci e tyre. Kjo është e çuditshme, paskan vuajtur vërtet shqiptarët nga mungesa e xhamive që ishin të pakënaqur? Jo, shqiptarët kishin mungesë të tmerrshme lirie, nuk kishin mungesë xhamish. Nuk besoj kurrë se problemi mund të jetë shtruar se ka qenë problem fetar, që kosovarët  ndjeheshin keq se u ndaluan xhamitë, kosovarët ndjeheshin keq se i priste burgu, se duhet të flinin natën me shtëpi të hapura që të hynte policia. E gjitha kjo është një mashtrim për të krijuar një alibi kundër lirisë, dmth zëvëndësojnë koncetin e lirisë me një koncept fetar, një gjë e pavërtetë krejtësisht. Unë nuk besoj kurrë.

Rudina Xhunga: Por ju i druheni krijimit të një shteti islamik në Ballkan, ku përfshinë Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë. I druheni rritjes së numrit të xhamive, financimit?

Ismail Kadare: Është një problem shumë delikat, pasi spekulimi që mund të bëhet është sheshit. Çdo diskutim rrezikon të marrë frymën e mashtrimit brenda. Psh për mua flitet shpesh, se Kadareja u ka bërë thirrje shqiptarëve të bëhen katolikë të gjithë. Ky është thjesht një mashtrim dhe të vjen keq, kur e dëgjon nga njerëz me autoritet fetar, nga klerikë në Kosovë, e kam dëgjuar vetë disa herë, bashkë me mallkimet për mua, ky tradhtar i kombit etj. Unë kam thënë absolutisht një gjë që është krej tjetër. Kam përshkruar një takimin tim me Ramiz Alinë, ku është hapur biseda e fesë, ku unë i thashë shefit të shtetit në atë kohë se Shqipëria është në pozitë të vështirë dhe ndër vështirësitë kryesore ishte afrimi me Europën e ndër to ishte dhe lejimi i fesë.
Unë i thashë filloni nga hapja e kishave për minoritarët grekë, ne e pranojmë që ata janë kombësi greke dhe kanë dyfish të drejtë të kërkojnë të parët, kisha, siç i ka vendi i tyre Greqia. Më pas të vazhdojnë me kishat e tjera, e më pas me xhamitë. Mendimi është që vetvetiu duke u afruar me Europën, mes shqiptarëve do të shtohej numri i ateistëve. Parashikimi im nuk doli, nuk ishte i vërtetë.

Rudina Xhunga: Sepse mesa duket shqiptarët nuk po zgjedhin kombin në vend të fesë…

Ismail Kadare: Në Shqipëri është gati akuzë ose turp të përdorësh fjalën komb në mënyrë pozitive. Është në kokën e krimbur të disa pseudomodernëve tanë.  Përpara ka qenë toka, atdheu, dalëngadalë ka evoluar, e kombet janë relativisht të rinj, por kjo s’do të thotë se ne nuk kemi të drejtë të themi se jemi komb. Unë mendoj se një nga të këqijat e shqiptarëve është se e duan më pak se të tjerët kombin. Kombi është një strukturë e verifikuar nga historia sot, e pranuar nga historia moderne. Nuk është e përsosur si strukturë. Në emër të tij janë bërë spekulime, por spekulime ka me çdo koncept të shenjtë, spekulime të mëdha janë bërë me lirinë, të gjithë tiranët e përdorin fjalën liri, të gjithë tiranët spekullojnë me fjalën popull, sepse me gjërat e shenjta spekulohet. Pra me fjalën komb janë bërë krime, kjo është e vërteta, por është vërtetuar njëkohësisht që në botën e sotme struktura e kombit është më e përshtatshmja për të mbajtur në këmbë lirinë e një populli, pasi liria është një koncept kaq i brishtë, kaq sublim, kaq madhështor, saqë asnjë strukturë nuk e përballon dot. Sot fjala komb nuk është fjalë turpëruese, Europa zyrtarisht quhet Europa e Kombeve, familja e Kombeve.

Rudina Xhunga: Kombit ju drejtuat në fakt kur ndodhi tragjedia e Charlie Hebdo duke thënë shqiptarët e kanë mirë të qartë se janë europianë. Çishte ajo nevojë për të thirrur në atë moment?

Ismail Kadare: Sepse ka një keqkuptim në Shqipëri se çfarë jemi ne. Pas asaj rilindje të ndritur shqiptare që u ndërtua e gjithë për dashurinë e Shqipërisë ndaj kontinentit të vet që e kishte humbur dhe e rigjeti, filloj një proces i kundërt, pas rënies së komunizmit, vënia në pikëpyetje se çfarë janë shqiptarët, ç’identitet kanë. A janë europianë apo nuk janë? Kjo është një tezë thellësisht armiqësore. Është teza bazë e Cubrilovic, shqiptarët nuk janë europianë, duhet të ikin nga Europa. Ai e thoshte hapur duhet të shpërngulen që të shpëtojë Europa nga një rrezik i ardhshëm. T’i bëjmë thirrje sidomos klerikëve të Kosovës që t’i bindin familjet shqiptare të shkojnë në Turqi se atje është më mirë për ta se këtu, me nëntekstin që shqiptarët nuk janë europianë. Nëse është e nevojshme ka thënë Cubrilovic, të sjellim hoxhë nga Turqia që t’i bindim shqiptarët sa mirë është në Turqi, e t’ju bëhen lehtësimet e nevojshme, me trena, transport etj, madje t’i jepet dhe shpërblim për të ikur. Unë mendoj se është urgjent ribotimi i draftit të tij rreth 40 faqe. Eshtë botuar në kohën e Zogut nga një patriot i madh shqiptar, pikërisht për të parë shqiptarët se çfarë i kërcënon. Është e hidhur kjo që po them, por ky është një projekt i vjetër për zbrazjen e trojeve shqiptare nga shqiptarët. Është e njëjta gjë që vazhdon prej qindra viteve.

Rudina Xhunga: Po këtij fataliteti a mos i japin një dorë dhe vetë shqiptarët?

Ismail Kadare: Po sigurisht. Sigurisht nuk bëhet asgjë pa shqiptarët, sigurisht janë ata që e nxisin këtë propagandë që ndodh. Kush shkon shtëpi më shtëpi çdo natë që u thotë ikni, nisuni, se ju ndihmojmë ne? Çjanë këto agjenci që mbushin autobusa? Nuk e di ky shtet se çfarë po ndodh. Nuk e marrë dot me mend. Duhet të rrinte pa gjumë administrata e Kosovës nga kjo gjë, ata që quhen barinjtë e Kosovës, udhëheqësit e Kosovës, unë nuk e di ç’bëjnë, ndoshta rrinë vërtetë pa gjumë dhe po i akuzoj pa të drejtë.

Rudina Xhunga: Po Shqipëria çfarë roli ka ?

Ismail Kadare: Sigurisht edhe Shqipëria ka përgjegjësinë e saj, për çdo gjë që ndodh me shqiptarët, brenda saj por edhe jashtë saj. Duhet ta ketë të qartë, duhet të ndikojë. Psh ne jemi në Jersualem, ky qytet i vogël por që merret me tërë botën, ky preokupohet, nuk e zë gjumi, nuk e zë gjumi për hebrenjtë në të gjithë botën. Pse ne të mbyllim sytë, siç po ndodh.

Rudina Xhunga: Në fakt ne nuk e dimë se çfarë mund të ndodhë nëse jemi bashkë, nëse jemi treg, nëse komunikojmë.

Ismail Kadare: Ne nuk dimë shumë gjëra, por së paku të dimë atë që me duart tona mos e prishim atë çfarë kemi. Shpesh dëgjojmë në shtyp që ka 5 milionë shqiptarë në Turqi. Kur kanë shkuar këta 5 milionë shqiptarë? Si këta 5 milionë shqiptarë në Turqi nuk paskan një shkollë, nuk paskan një gazetë, nuk paskan një rreth kulturor? Ndodh kjo në botë? Dhe pse heshtim për këtë?

Rudina Xhunga: Se kemi folur pafund për Greqinë, por jo për Turqinë.


Ismail Kadare: 
Por edhe Greqia, problemi i çamëve unë nuk e di sa sqarohet vërtetë. Kjo shpërngulje çamëve si u bë? Çamëria është katandisur në një gjë të vogël fare, në krahasim me çka qenë. Ndaj duhet përmendur roli i shqiptarëve, roli i marrëveshjeve të fshehta që janë bërë.

Rudina Xhunga: Dua t’i rikthehem dhe një herë tek çmimi, çmimi që ju morët në Izrael, fakti që përmendet në gazetat e rëndësishme të Izraelit, se është hera e parë që një musliman merr çmimin e madh të Jerusalemit.

Ismail Kadare: Ju e dini se unë nuk besoj se do ta merrja çmimin për këtë arsye, nuk besoj se  luan ndonjë rol, të paktën për mua jo, për shqiptarët jo. Unë jam një shqiptar dhe kur vjen fjala për besimin fetar,  kam një nga katër besimet që ekzistojnë në Shqipëri, por kaq. Mesa duket për një kategori këtu ka një lloj kuptimi simbolik, kuptimi është pozitiv, është një dëshirë për afrim, dëshirë për mirëkuptim, komunikim.

Rudina Xhunga: Ndërkohë nuk ishte çelësi fjalimit tuaj fakti se jeni musliman, çelësi i fjalimit tuaj ishte  një keqkuptim i madh ballkanik se kush mbrojti më shumë hebrenjtë.

Ismail Kadare: Do të përdorja një paradoks të vogël, keqkuptim i bukur do ta quaja, që meriton një urim. Në vend se të bënim sherr se kush denoncoi  më shumë hebrenj, një sherr i mbrapshtë, i keq, i turpshëm, po bëjmë një sherr të kundërt, kush i mbrojti më tepër. Nëqoftëse ky është një stil i ri vizionimi në Ballkan, do të ishte një gjë e mrekullueshme. Nuk jam kaq optimist sa ta pranoj, por një prirje e mirë është, prandaj unë e përmenda si një prirje pozitive në gadishullin e shquar për prirje negative.

Rudina Xhunga: Shqipëria në fakt është zyrtarisht e pranuar si një vend që i ka mbrojtur hebrenjtë, nuk ka më dyshime.

Ismail Kadare: Shqipëria, Danimarka, Bullgaria janë 3 shtetet e pranuara zyrtarisht në mbrojtjen e hebrenjve, Shqipëria është në vendin e tre të parëve. Ka shumë shtete që kanë dashur ta marrin këtë status, nuk e kanë marrë. Hebrenjtë janë shumë të kujdesshëm dhe bëjnë mirë që nuk duan të besojnë se nuk ka pasur mbrojtje atje ku nuk ka pasur.

Rudina Xhunga: Libra juaj i fundit, “Mengjeset ne kafe Rostand”,  është një nevojë për t’u shpjeguar?

Ismail Kadare: Letërsia nuk ka asnjë detyrim për të shpjeguar gjëra, absolutisht. Mjerë ajo letërsi që është e detyruar të krijohet për të shpjeguar.

Rudina Xhunga: Mua më bëri shumë përshtypje mbyllja, dedikimi ndaj vajzave por atyre vajzave të cilat ne nuk i përmendim. Një poezi më vete për ato, vajzat e rrugës.

Ismail Kadare: Unë e kam pasur gjithmonë këtë, s’do ta quaj obsesion, këtë ndjeshmëri për vajzat dhe gratë shqiptare, të cilave kombi shqiptar, iu ka një detyrim të madh moral. Do të vazhdojë një kohë të gjatë derisa ta shlyejë në art, duke rikujtuar fatin e tyre gjithmonë më të vështirë sesa pjesa tjetër e kombit. Psh po flitet në Kosovë, por është folur shumë pak për atë barrë që u ra vajzave dhe grave shqiptare, barra e tyre përdhunimit, u mbajt  heshtje, e dëmtueshme kjo për lirinë e Kosovës. Gjithmonë ka qenë një barrë që vajzat shqiptare dhe gratë shqiptare e kanë mbajtur në heshtje dhe prandaj unë kam shkruar atë version në fund të librit, atë version të Urës së Qabesë. S’kam ndonjë merak që të ruaj nderin e kombit ose ta përlyej duke përmendur prostitutat shqiptare. Madje në një studim për Dante Aligerin e kam mbyllur me një prostitutë shqiptare që e ka emrin Beatriçe, që duket paradoks i madh, figurën më të hyjnueshme në letërsinë botërore, një klientë italian me një prostitutë shqiptare që e pyet si e ke emrin, e ajo i thotë Beatriçe. E di çdo të thotë Beatriçe? E di, i thotë ajo, e kam mësuar në shkollë. Duket kuriozitet, por është një tragjedi, tregon një ndriçim të brendshëm të një populli.

Marrë me shkurtime nga emisioni Shqip nga Rudina Xhunga.

Top Channel