Lideri i Hezbollah: ISIS synon Mekën dhe Medinën, ta luftojmë së bashku

17/02/2015 00:00

Lideri i lëvizjes Shiite libaneze Hezbollah, Sayyed Hassan Nasrallah u ka bërë thirrje vendeve të Lindjes së Mesme që të bashkohet në betejën kundër Shtetit Islamik dhe grupeve të lidhura me al-Kaedën.

“Ne i bëjmë thirrje popullit dhe qeverive të rajonit për të punuar së bashku ndaj këtij kërcënimi”, tha Nasrallah në një fjalim të hënën në mbrëmje, gjatë një tubimi që përkujton “liderët martirë” të partisë.

“Ne jemi të aftë për të mposhtur kërcënimin dhe ata që qëndrojnë prapa këtij kërcënimi, qoftë Mossad-i, CIA, apo inteligjenca britanike”, ka thënë lideri i Hezbollah.

Ai ka kërkuar nga vendet e rajonit që të mos presin ‘një strategji ndërkombëtare’ për të shpëtuar nga kërcënimi i ISIS. “Ata janë duke na bërë thirrje që të tërhiqemi nga Siria, por unë ju bëj thirrje ju për të ardhur në Siri dhe në Irak”.

Që prej vitit 2013 lëvizja Hezbollah lufton përkrah qeverisë siriane kundër grupeve rebele në këtë vend. Ajo vepron kryesisht në vargmalet Qalamoun përgjatë kufirit ndërmjet Libanit dhe Sirisë, ku është duke luftuar kundër grupeve rebele të fshehur në male.

Hassan Nasrallah tha se do të ketë përleshje të rënda në këto zona menjëherë pasi bora të shkrijë dhe bëri thirrje për bashkëpunim mes qeverisë libaneze dhe asaj siriane për t’iu kundërvënë çdo sulmi të rebelëve.

Ai tha se nuk kishte asnjë dallim midis ISIS dhe Frontit Nusra, dega siriane e al-Kaedës dhe se ata ndajnë të njëjtën ideologji, të njëjtën kulturë dhe të njëjtën qëllim. Gjithashtu, Nasrallah paralajmëroi shtetet e Gjirit Arab në lidhje me kërcënimin e afërt që ata do të përballen nga rebelët, duke thënë se objektivi i tyre është marrja e qyteteve të shenjta të Mekës dhe Medinës në Arabinë Saudite.  

“Qëllimi i vërtetë i ISIS është Meka dhe Medina. Arabia Saudite do ta ketë shumë të vështirë. Ky është synimi i tyre pasi Kalifati nuk mund të krijohet pa dy vendet e shenjta”, tha Nasrallah.

Top Channel