Danimarka në zi për viktimat e terrorit, me mijëra njerëz në rrugët e Kopenhagenit

17/02/2015 00:00

Dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën në qytete të ndryshme në të gjithë Danimarkën për të përkujtuar viktimat e sulmeve me armë të fundjavës në Kopenhagen.

Me qirinj në duar, njerëzit mbajtën një minutë heshtje në fillim të marshimit paqësor në kryeqytetin danez. Flamuri kombëtar u ul në gjysmë shtizë të hënën. Lule dhe kurora u vendosën në dy vendet ku ndodhën ngjarjet, ndërsa disa kanë vendosur lule edhe në vendin ku policia qëlloi për vdekje autorin e sulmeve. Një zëdhënës i policisë ka thënë se kanë qenë rreth 30 mijë persona të mbledhur në kryeqytet.

Dy qytetarë u vranë dhe 5 policë u plagosën në sulmet e ditës së diel në Kopenhagen. Policia daneze arrestoi dy persona që dyshohet se kanë ndihmuar autorin e vrasjeve, i cili është identifikuar si 22-vjeçari Omar El-Hussein. Ai qëlloi fillimisht në një ambient publik ku po mbahej një seminar mbi lirinë e shprehjes, me protagonist Lars Vilks, karikaturist suedez që ndodhet në listën e personave që kërkohen të vdekur prej Al-Kaedas me akuzën ‘e krimeve kundër islamizmit’.

Vilks dhe ambasadori francez në Danimarkë, që ndodheshin në të njëjtën sallë, i shpëtuan pa u dëmtuar sulmit, ndërsa një pjesëmarrës, që më vonë u mësua se ishte një regjisor mbeti i vrarë. Po ashtu në këtë episod u plagosën edhe oficerë të policisë.

Disa orë më vonë, jo larg sulmit të parë regjistrohet edhe sulmi i dytë, pranë një sinagoge. Një hebre mbeti i vrarë dhe dy policë u plagosën në këtë episod.

Top Channel