Kosova, 7 vjet pavarësi; krerët e shtetit nderojnë të rënët

17/02/2015 00:00

Krerët më të lartë të institucioneve të Kosovës si dhe udhëheqës partiakë kanë bërë homazhe në përvjetorin e shtatë të Pavarësisë, para varrit të ish-Presidentit Ibrahim Rugova dhe te varri i komandantit legjendar Adem Jashari, në Prekaz.

Presidentja Atifete Jahjaga, e shoqëruar nga kryeministri Isa Mustafa dhe kabineti qeveritar, pasi bënë homazhe te varri i Presidentit të parë kosovar, thanë se Rugova ishte ideatori që vuri themelet e Pavarësisë së Kosovës.

“Në shënimin e shtatëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës erdhëm që të bënim nderimet tona institucionale këtu, pranë varrit të Presidentit të parë historik, doktor Ibrahim Rugovës, ideatorit të Pavarësisë së Kosovës, i cili arriti të mobilizojë të gjithë popullin e Kosovës rreth platformës së tij politike për liri dhe pavarësi, si dhe siguroi një përkrahje dhe mbështetje të fuqishme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian”, tha Atifete Jahjaga, presidente e Kosovës.

“I bëmë nderime Presidentit të parë të Republikës së Kosovës, njeriut i cili i vuri themelet e Pavarësisë së kësaj Republike, i cili me përkushtim shumë të madh punoi gjatë tërë jetës së tij, që Kosova të bëhej shtet i pavarur, që populli i Kosovës të gëzojë lirinë dhe të punojë për këtë vend. Ne e vlerësojmë shumë veprën e tij, e vlerësojmë kontributin e tij dhe kjo na bën që të punojmë edhe më tutje, në mënyrë që të krijojmë kushte për qytetarët tanë, të krijojmë kushte që ky shtet të funksionojë mirë, që të ndërtojmë një shtet të fortë, një shtet demokratik dhe një shtet, me të cilin do të mburremi të gjithë, jo vetëm brenda vendit, por edhe në arenën ndërkombëtare”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Presidentja Atifete Jahjaga, kryeparlamentari Kadri Veseli, kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, pasi bënë homazhe në kompleksin memorial të Jasharëve në Prekaz, vlerësuan figurën e komandantit Adem Jashari dhe të familjes së tij.

“Sot, në këtë ditë të Pavarësisë, në përvjetorin e madh, jemi së bashku me Presidenten për t’u bërë nderimet luftëtarëve të lirisë, familjes Jashari, simbolit të rezistencës. Një familje, e cila dha shumë për lirinë e pavarësinë, e cila mbetet simbol jo vetëm i lirisë dhe i rezistencës, por edhe simbol i paqes”, tha kryeministri Isa Mustafa.

Edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka uruar të gjithë shqiptarët për ditën e Pavarësisë së Kosovës, pasi bëri homazhe pranë shtatores së heroit Zahir Pajaziti, në Prishtinë.

“Urime qytetarëve të Kosovës për ditën e Pavarësisë. Urime shqiptarëve. Urime liridashësve. Falemnderit të gjithë atyre që kanë punuar për këtë ditë. Përulemi para tyre që u flijuan dhe, njëkohësisht, këtë ditë e shohim si tregues se na pret shumë punë. Pra gjejmë forcën për të shkuar përpara, ashtu siç kemi ditur dikur në kohëra të vështira. Edhe tani duhet të gjejmë forcën për të ecur përpara për mirë”, tha Ramush Haradinaj, kryetar i AAK.

Edhe përfaqësues të institucioneve dhe organizatave të ndryshme, gjatë ditës kanë nderuar heronjtë në ditën e Pavarësisë së Kosovës.

Top Channel