Gazifikimi i Shqipërisë, kompanitë ndërtuese të TAP mblidhen në Tiranë për masterplanin

17/02/2015 00:00

Shqipëria ndërmerr hapa konkretë në drejtim të gazifikimit të vendit, që
do të bëjë të mundur përdorimin e gazit natyror si burim alternativ
energjie, pasi gazsjellësi TAP të nisë punën.

Masterplani që ndihmon këtë proces mblodhi në Tiranë përfaqësues të lartë të kompanive ‘SOCAR’, ‘British Petroleum’, ‘Shell’ etj.

‘Që Shqipëria të përfitojë patjetër duhet të zhvillojë një treg gazi, por për këtë duhet përfshirja e investitorëve në këtë drejtim dhe përfshirja e tyre do të vijë kur ata do të kenë të qartë që ka një treg të mundshëm, një konsum të mundshëm dhe ka një plan”, tha ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri.

‘Nëse sheh situatën energjetike të Europës Juglindore apo Ballkanit, roli i Shqipërisë është i një ure lidhëse që do të ndihmojë gazin alternativ të arrijë ne vendndodhje të ndryshme në Europë, vecanërisht në Europën juglindore dhe Ballkan”, thotë Murat Heydarov, këshilltar i Presidentit të ‘SOCAR’.

“Sa i përket rrjetit, është jashtë funksionit dhe ka nevojë të rikonstruktohet. Pjesë të tij mund të duhet të zëvendësohen totalisht. E gjithë kjo është një sfidë e madhe por dhe një mundësi e madhe për të bërë një hap përpara në drejtim të diversifikimit të energjisë dhe sigurisë energjetike. Dua t’ju siguroj se Bashkimi Europian është gati të të ndihmojë Shqipërinë të arrijë këtë objektivë”, tha Clive Rumbold, i ngarkuari me Punë i delegacionit të BE në Shqipëri.

Bashkimi Europian ka financuar 1.1 milion euro për hartimin e masterplanit që do të ndihmojë në gazifikimin e vendit. Ndërsa kompania shteterore azere e naftes ‘SOCAR’ do te asistojë Qeverinë shqiptare në kryerjen e studimit të fizibilitetit për masterplanin e gazsjellësit që pritet të përfundojë pas pesë vitesh, kur do të mundësojë transportimin e gazit natyror nga fushat e Azerbajxhanit drejt Europës Perëndimore.

Top Channel