Banorët e Dukagjinit të bllokuar, akset rrugore të zëna nga dëbora

17/02/2015 00:00

Prej dy javësh, dy komunat më të thella të Dukagjinit, Shalë dhe Shosh, janë të izoluara nga pjesa tjetër e vendit për shkak të dëborës.

Kalimi bëhet i vështirë në zonën e humnerës së Karmës së Kirit dhe Pultit dhe më tej bëhet e pakalueshme në malin e Shoshit.

Kjo është pika ku mjetet që vijne nga Shkodra presin banorët e zonës së izoluar që të mbërrijnë pas një udhëtimi të gjatë në këmbë.

Ata vijnë nga fshatrat e Shalës dhe të Shoshit duke ecur me orë të tëra në këmbë për të gjetur mjetet të cilat i zbresin në Shkodër.

Përveç shqetësimit për rrugën, banorët thonë se izolimi u ka krijuar vështirësi të mëdha për ushqime dhe ilaçe. Janë 15 fshatra me rreth 2 mijë banorë në këto dy komuna që kanë mbetur tërësisht të bllokuar.

Komunat e izoluara kanë dy rrugë nacionale, njëra është rruga e malit të Shoshit dhe tjetra nga Thethi në Qafën e Thores. Të dy këto akse aktualisht janë të pakalueshme nga bora e cila arrin në disa vende mbi një metër.

Top Channel