ISIS, kontrabandë antikuaresh nga Siria në Europë. Paratë financojnë terrorizmin

17/02/2015 00:00

Tregtia e antikuarëve është një prej burimeve kryesore të financimit për Shtetin Islamik, përpos naftës dhe rrëmbimit të personave.

Për këtë arsye, Këshilli i Sigurimit në OKB vendosi javën e kaluar të ndalonte çdo lloj tregtie të objekteve të tilla me vlerë nga Siria, duke i akuzuar militantët e ISIS-it se po grabisin trashëgiminë kulturore të vendit për të forcuar aftësinë e vet të organizimit dhe ndërmarrjen e sulmeve terroriste.

Rruga e kontrabandimit të artefakteve nis nga Siria, kalon përmes Turqisë në mjaft raste, Libanit në të tjera, e përfundon në Europë.

Njeriu që mbikëqyr gjithçka foli me korrespondentin e BBC-së, Simon Cox, duke përdorur vetëm emrin “Mohammed”. Me origjinë është nga Damasku, por tani jeton në luginën e Bekaas, në kufirin mes Sirisë dhe Libanit. Është vetëm 21 vjeç. Siç tregon dhe vetë, ka tre miq në qytetin e Aleppos, me të cilët e bën këtë tregti.

Janë ata që lëvizin dhe vijnë në kufi, ku paguajnë një taksi për t’i kaluar fshehurazi në anën tjetër. Përpiqen të marrin objektet me vlerë më të madhe: vathë, unaza, statueta, monedha të vjetra. Fitimet janë të kënaqshme, por Mohammed thotë se lojtarët e mëdhenj, të vërtetët pas gjithë këtij organizimi, shesin objekte për 500 mijë dollarë, e disa edhe për 1 milion dollarë. Por kush e kontrollon këtë biznes?

21-vjeçari përgjigjet fare hapur: ISIS-i. Militantët e tij kanë grabitur muzetë, e sidomos atë të Aleppos, dhe artefaktet i dërgojnë jashtë kufijve, ku kanë lidhjet e tyre. Dhe që tregtia e vërtetë e antikuareve bëhet jashtë rajonit, këtë e konfirmon edhe shefi i Zyrës së Krimit Ndërkombëtar në Liban, lejtnant kolonel Nicholas Saad.

Që nga fillimi i konflikti në Siri, është vënë re një shtim i jashtëzakonshëm i kontrabandës së artefakteve të vjedhura, sidomos nga zonat e kontrolluara prej ISIS-it, siç është Raqqa-ja. Për kalimin e tyre, militantët shfrytëzojnë edhe fluksin e të shpërngulurve.

Refugjatët kanë vërshuar në këtë periudhë, rrëfen Saad, e mes sendeve të tyre, xhihadistët fusin edhe objektet me vlerë që duan të nxjerrin jashtë vendit. Ekspertët tanë të arkeologjisë kanë gjetur artefakte shumë të vyera, që datojnë nga periudha romake e antikiteti grek, por tregu i tyre nuk është këtu te ne.

Libani është një vend tranziti, vetëm një prej dyerve të kalimit të artefakteve drejt kontinentit të vjetër, pohon zyrtar libanez. Paratë e vërteta të kësaj kontrabande bëhen në Europë, shton ai.

Top Channel