Nishani uron Jahjagën: Pavarësia, faktor paqeje në rajon

17/02/2015 00:00

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani i ka përcjellë këtë të martë homologes kosovare Atifete Jahjaga urimet për 7-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

“Ju përcjell urimet më të mira e vëllazërore për mirëqenien dhe begatinë e Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj”, shprehet Nishani në mesazhin e tij.

Kreu i shtetit vlerëson se, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës shkojnë përtej atyre ndërshtetërore.

“Ato janë marrëdhënie vëllazërore, që i shërbejnë më së miri bashkëpunimit të gjithanshëm e strategjik në të mirë të qytetarëve të dy vendeve tona, por dhe bashkëpunimit në nivel rajonal e evropian”, thotë Nishani.

Kreu i shtetit vijon më tej duke thënë se, pavarësia është tashmë një realitet i pakthyeshëm dhe konstaton se mbështetja ndaj saj i ka shërbyer paqes dhe sigurisë në të gjithë rajonin e Ballkanit.

“Kam gjithashtu kënaqësinë që në këtë Ditë të Pavarësisë, të përshëndes të gjitha arritjet e deritanishme të Kosovës, si brenda vendit ashtu edhe në nivel ndërkombëtar, si dhe të shpreh mbështetjen e palëkundur të të gjitha institucioneve të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në organizatat rajonale dhe ato ndërkombëtare”, nënvizon Nishani.

Ai më tej shpreh bindjen e tij se, “shumë shpejt Kosova do të zërë vendin që meriton në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”.

Top Channel