PD: Krimi po imponohet, vendi në ditë të vështira

17/02/2015 00:00

Partia Demokratike, përmes sekretares së saj për marrëdhëniet me publikun, Grida Duma ka denoncuar sërish këtë të martë imponimin e botës së krimit në vend, përmes kërcënimeve me eksploziv dhe grabitjeve që kryen në mes të ditës.

“Grabitje banke në mes të ditës në Tiranë, rrëmbim personi në Fushë-Krujë, grabitje me maska në Shkodër, grabitje me maska në Vlorë. Tonelata drogë që qarkullojnë në Shqipëri e përmes pikave tona kufitare drejt Europës. Një pas një vetëm të tilla ngjarje.

Ende pa marrë veten nga njëra tronditje, qytetarët bëhen dëshmitarë të grabitjes së radhës, apo shpërthimit të radhës. Është e qartë se krimi gjendet në krye të detyrës, krimi po majmet, po forcohet, po punësohet dhe po imponohet çdo ditë e më shumë.

Edhe më tronditëse bëhet situata kur sheh lehtësinë me të cilën veprojnë banditë të maskuar me kostum policie, lehtësinë me të cilën rrëmbejnë një person, e grabisin në mes të Tiranës. Lehtësinë me të cilën kërcënojnë e vendosin tritol”, ka deklaruar Duma.

Përfaqësuesja e partisë më të madhe të opozitës ka vlerësuar më tej se, vendi po kalon ditë të vështira dhe se të sigurt sipas saj janë vetëm një palë, “maskat, grabitësit e tritolvënësit”. “Qeveria ia ka dalë vetëm për një gjë, ia ka dalë t’i lëshojë terrenin krimit”, ka shtuar Duma.

Top Channel