Pasi Athina e refuzoi ofertën e Bashkimit Europian për zgjatjen e dorëzanisë aktuale prej 240 miliardë eurosh, një plan absurd e i papranueshëm për qeverinë e re greke, ministri i Financave Yanis Varoufakis deklarohet i gatshëm të bëjë çdo gjë që të jetë e mundur, për arritjen e një marrëveshjeje të re me bllokun.

Sipas vetë pohimeve të tij, kreu i Financave greke është i përgatitur të pranojë një ujdi, vetëm se me të tjera kushte. Koha në dispozicion megjithatë është e shkurtër. Për bisedimet nuk kanë mbetur veçse disa ditë, siç tha dhe ministri holandez i Financave, Jeroen Dijsselbloem, njëkohësisht drejtues i eurogrupit. I takon Greqisë të pranojë nëse dëshiron financim të mëtejshëm apo jo, ishte deklarata e tij.

“Personalisht, kam preferuar dhe vazhdoj të mbështes zgjatjen e programit ekzistues, gjë të cilën ende e shoh si të mundur”, tha Jeroen Dijsselbloem, president i eurogrupit.

Programi aktual i ndihmës për Greqinë përfundon më 28 shkurt. Çdo marrëveshje e re duhet të marrë aprovimin e qeverive kombëtare, ndaj dhe koha për kompromis është e paktë. Në mungesë të një pakti, Greqia rrezikon të mbetet pa parà.

Që përpara takimit të Brukselit, ministri gjerman i Financave e shfaqi hapur mungesën e optimizmit për gjetjen e një zgjidhjeje. Problemi është se Greqia ka jetuar për shumë kohë përtej mundësive të saj, e tani askush nuk dëshiron t’i japë më parà pa garanci, u shpreh Ëolfgang Schauble.

Si BE-ja, ashtu edhe Greqia këmbëngulin për qëndrimin e vendit në eurozonë, por kreditorët po i rezistojnë presioneve të ekzekutivit të ri grek për fshirjen e një pjese të borxheve.

Nëse i ashtuquajturi “Grexit” ndodh vërtet, ekspertët parashikojnë nxitim të njerëzve për të nxjerrë paratë jashtë kufijve, një recesion të gjatë e inflacion therës, nevojën e vendit për të përdorur një tjetër monedhë, mbase një të re, por nga ana tjetër, eksportet greke dhe pushimet për turistët në Greqi, do të jenë shumë më të lira.

Top Channel