Xhihadistët e ISIS djegin të gjallë 45 vetë në Irak

17/02/2015 00:00

Xhihadistët e Shtetit Islamik kanë djegur të gjallë 45 vetë në qytetin perëndimor irakian të al-Bagdadit, duke rikthyer kështu mizorinë e kryer me pilotin jordanez, por këtë herë të shumëfishuar.

Shefi i policisë lokale, Kasim al Obeidi, njeriu që pohoi lajmin e rëndë, thotë se nuk dihet me saktësi cilët janë viktimat e ekzekutimit të tmerrshëm, dhe përse janë zgjedhur pikërisht ata për të pasur një fund të tillë. Megjithatë besohet se, të paktën një pjesë e tyre ishin anëtarë të forcave irakiane të sigurisë.

Luftëtarët e ISIS-it morën nën kontroll javën e kaluar pjesën më të madhe të qytetit, pranë të cilit ndodhet baza ajrore amerikane, Ain al-Asad. Sipas kolonelit Obeidi, një kompleks që strehon familjarë të personelit të sigurisë dhe zyrtarëve lokalë është aktualisht nën mësymjen e militantëve të Shtetit Islamik.

Ai kërkoi ndihmë nga qeveria dhe komuniteti ndërkombëtar. Sipas mediave të huaja, luftimet dhe mundësitë e pakta për komunikim në zonë e bëjnë të vështirë verifikimin e këtyre raporteve.

Top Channel