Egjipti kërkon mandat ndërkombëtar për ndërhyrje në Libi

17/02/2015 00:00

Egjipti kërkon prej Kombeve të Bashkuara një rezolutë që të lejojë ndërhyrjen e një force ndërkombëtare në Libi.

“Nuk ka asnjë zgjidhje tjetër. Nuk do të lejojmë që ata të presin kokat e fëmijëve tanë. Braktisëm popullin libian dhe i lamë të burgosur në duart e milicive ekstremiste”, tha në një intervistë për radion Europa 1, presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi.

Sipas tij ndërhyrja ndërkombëtare me bombardime ajrore për të rrëzuar regjimin e kolonelit Muamar Gadafi në vitin 2011 është një mision i lënë përgjysmë përderisa Libia nuk ka gjetur ende paqe edhe pas 4 vitesh.

Që prej rrëzimit të Gadafit pjesa më e madhe e vendit kontrollohet nga grupe rivale ekstremiste. Qeveria e njohur ndërkombëtarisht kontrollon pjesën lindore dhe kryeqytetin Tripoli, në jug veprojnë milicitë Tuareg dhe Toubou, ndërsa në veri-lindje ka një rritje të madhe të aktivitetit Ansar al-Sharia, ISIS dhe grupeve të tjera xhihadiste.

Paralelisht me kërkesën për një mandat ndërkombëtar ushtarak, avionët luftarakë egjiptianë ndërmorën një valë të dytë sulmesh ajrore kundër objektivave të ISIS gjatë së hënës, në shenjë hakmarrjeje për masakrën e 12 të krishterëve egjiptianë nga militantët e ISIS.

Sulmet ajrore erdhën pas një tjetër vale më herët gjatë ditës, që goditën kampet e ISIS, fushat e trajnimit dhe depot e armëve, siç njoftoi një deklaratë e ushtrisë egjiptiane.

“Hakmarrja për gjakun egjiptian dhe dënimi i kriminelëve dhe vrasësveë është e drejta dhe detyra jonë”, bëri të ditur ushtria egjiptiane në deklaratën e transmetuar edhe në televizionin shtetëror.

Ministria e Jashtme egjiptiane tha se sulmet ajrore shënjestruan vendndodhjet e ISIS në Derna. “Nëse e lëmë situatën në gjendjen aktuale në Libi, pa një ndërhyrje të vendosur për të kufizuar organizatat terroriste, do të jetë një kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, thuhej në deklaratë.

Ofensiva bombarduese erdhi pasi ISIS publikoi një video të frikshme gjatë së dielës, që shfaqte militantët e ISIS të ekzekutonin me prerje koke disa njerëz, që sipas tyre ishin të krishterë nëpër plazhe.

Top Channel