Hahn në rajon, por jo në Tiranë: Mungesa ime në Shqipëri, tregon se atje nuk ka probleme për momentin

17/02/2015 00:00

Shqipëria nuk rezulton problematike për Komisionerin e Fqinjësinë
Europiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, megjithëse Tirana
mungon dhe në turin e tij të dytë drejt Ballkanit, ndërsa ai nuk do të
jetë i pranishëm për tryezën e së enjtes me kryeministrin Rama. 

Ndryshe nga paraardhësi i tij,  Hahn çmon se vizita nënkupton një urgjencë.

“Nuk kam me të vërtetë ende një datë të caktuar se kur do të vizitoj Shqipërinë, por do të jem atje shumë shpejt. Nga ana tjetër, kjo nuk duhet parë si një justifikim, por ka një shpjegim pozitiv. Zakonisht, të udhëtosh për diku është tregues se atje ka një urgjencë. Të mos udhëtosh për diku nënkupton se nuk ka probleme kaq të dukshme për momentin. Deri tani, kam patur mundësinë të takoj ministrin e jashtëm nja dy herë, dhe bisedova me të javën e kaluar në telefon për shkak të përmbytjeve. Kështu që ekziston linja e komunikimit, por më duhet të shkoj  vërtet atje. E kam premtuar, megjithëse kjo ndodh vetëm në tetor, se do të jem atje për të parë ndeshjen e futbollit mes Serbisë dhe Shqipërisë, në Shkodër. Do të jem atje”, tha komisioneri.

Përveç diplomacisë, Komisioneri përmendi tregues pozitiv në fushën e rendit ligjor,sidomos për trafikun e drogës,  por dhe ndaj shqetësimit për kërcënim të sigurisë pas shpërthimeve të fundit.

“Sigurisht, të tilla ngjarje na shqetësojnë, por në anën tjetër, shembulli i zbulimit të punishtes së kokainës është i mirë, sepse dëshmon se gjërat po përmirësohen, mendoj, dhe se kjo tashmë është e mundur. Shpresoj gjithashtu për një përfundim pozitiv të hetimeve mbi bombat dhe turbullirat. Por, pavarësisht shqetësimeve të sigurisë, meqë unë i përkas pjesës optimiste të gotës gjysmëplotë, jo gjysmëbosh, unë i shoh këto si tregues se gjërat po shkojnë në drejtim pozitiv. Për momentin, mund të jetë një situatë e vështirë, por në parim, treguesi është pozitiv”, tha Hahn.

Përpara nisjes për në Maqedoni dhe Kosovë, Komisioneri bisedoi për 40 minuta me korrespondentët e Ballkanit, ku paraqiti konceptin e tij politik dhe strategjinë e Brukselit për procesin e zgjerimit në BE. Ai përsëriti se “zhvillimi ekonomik – jo liberalizimi i vizave, është përgjigja ndaj emigracionit të fundit kosovar”. Rënia e numrit të tyre gjatë këtyre ditëve lidhet me reagimin e shpejtë të Prishtinës dhe bashkëpunimin e saj me shtetet e tjera, vlerësoi Hahn, i cili pret për nënshkrimin e MSA-së deri në fillim të 2016.  Për Maqedoninë,  Komisioneri  këshilloi politikën të mos merret me punët e gjyqësorit, ndërsa rrëfeu se i kishte kërkuar Parlamentit Europian të njëjtën ndërhyrje të suksesshme si në Shqipëri, edhe për bojkotin e opozitës në Maqedoni.

“U kërkova përfaqësuesve të grupeve kryesore politike në Parlamentin Europian që të bëjnë një përpjekje të ngjashme, siç u realizua suksesshëm me Shqipërinë, ku përfaqësuesit nga Parlamenti Europian, zoti Kukan dhe zoti Flakenshtajn, menaxhuan për arritjen e një marrëveshjeje që çoi në situatën e kthimit të opozitës në Parlament. Mendoj se ky është shembull i mirë dhe meqë i takon parlamentit, është llogjike të merret Parlamenti Europian dhe jo Komisioni me këtë. Ata u shprehën të gatshëm për ta bërë dhe shpresoj të jenë të suksesshëm”, u shpreh Hahn.

Në procesin e zgjerimit, të gjithë duhet të tregohemi ambicioz e të angazhuar, por dhe të duruar e të vendosur, këshilloi Hahn. Ndërsa asnjë kandidat nuk është gati për anëtarësim, shumë vende të rajonit kanë bërë progres, sipas Komisionerit.  Sundimi i ligjit, lufta ndaj korrupsionit, zhvillimi ekonomik, mjedisi i duhur për bizneset vendase dhe investitoret e huaj, liria e shprehjes,  përshtatja me praktikën europiane dhe zbatimi në terren i saj, mbeten sfida të rëndësishme për vendet e rajonit. Komisioneri kujtoi iniciativën e Berlinit, Vjenës e Parisit për ndërlidhjen e Ballkanit dhe financimin e projekteve të përbashkëta në transport, teknologji, edukim, dhe energji, ku uji mbetet burimi më i mirë i energjisë së rinovueshme, sipas tij. Krahas fondeve të para-anëtarësimit, Komisioni po sheh mundësinë e financimit përmes lehtësisë europiane të ndërlidhjes, një instrument ky që përdoret për të ndihmuar lidhjet mes vendeve anëtare.

Pergatiti ARTA TOZAJ

Top Channel