Festa e zbehtë e Pavarësisë

17/02/2015 00:00

“7-vjetori i Pavarësisë e gjen Kosovën në një kohë sfidash të ndryshme. Situata socio-ekonomike me ikjen e qytetarëve ka lënë pak hapësirë për të festuar. Zyrtarë të Qeverisë dhe të kryeqytetit kanë paralajmëruar një festë modeste, me disa aktivitete të vogla artistike”.

Në qendër të kryeqytetit të stolisur me flamuj të Kosovës, interpretimi i ansamblit “Shota” ka nisur festën e Pavarësisë, sipas axhendës qeveritare.

Edhe pse tingujt kanë tërhequr qytetarët në sheshet kryesore të qytetit, edhe ata që kanë dalë për të festuar thonë se emigrimi dhe gjendja ekonomike në Kosovë, janë arsyeja kryesore që kanë zbehur festën.

“Vitet e tjera kemi festuar, para shtatë vitesh ka pasur plot njerëz. Ndërsa tashmë s’ka asnjë të festojë për shkak të varfërisë dhe skamjes.  Njerëzit s’kanë me çfarë të festojnë. Kushdo do të festonte po të kishte, jo kur janë në varfëri”, thotë një qytetar.

“Mirë, jo si vitet e tjera, por nuk është keq. Vitet e tjera ka qenë më e organizuar”, tha një tjetër qytetare.

Fëmijët janë të vetmit që nuk janë prekur nga atmosfera që mbizotëron te të rritur dhe e kanë shijuar programin si çdo vit. Eksodi masiv këtë vit shënon edhe simbolin e Kosovës së pavarur. Nga sot, shkronja “E” në obeliskun  e Pavarësisë është e zezë.

“Dje në mbrëmje erdhën disa artistë dhe u shprehën fillimisht e më pas vendosën që shkronjën E ta ngjyrosnin me të zezë, sepse sipas tyre E-ja simbolizon eksodin, pamundësinë për të shkuar në Europë, ekonominë, ekzilin, euleksin”, u shpreh autori i “NEWBORN”-it, Fisnik Ismajli.

Ndërkohë në këtë ditë, Kosovës nuk i mungojnë urimet nga e gjithë bota dhe përfaqësitë e huaja të akredituara në Prishtinë. “Urime ditëlindjen Kosovë” ka uruar në Twitter edhe ambasadorja amerikane Tracy Ann Jacobson.

Top Channel