Ish-këshilltari i Obamas, Podesta: Pengu im, nuk zbulova dosjet e ekzistencës së UFO-ve

17/02/2015 00:00

Mesa duket do të duhet të presim edhe shumë kohë për të parë në realitet çiftin “Mulder dhe Scully”, dy aktorë që imitojnë dy agjentë specialë të FBI-së në serialin televiziv “The X-files”, film që i referohet njerëzve paranormalë, të paktën nga sa mësojmë nga këshilltari i sapolarguar i Shtëpisë së Bardhë, John Podesta.

“Si përfundim, dështimi im më i madh i vitit 2014 ka qenë: Mos sigurimi, për të disatën herë, i zbulimit të dosjeve të UFO-ve. E vërteta gjendet ende e fshehur në ato dosje”, shkroi të premten në një status në rrjetin social Twitter Podesta, në atë që ishte dita e tij e fundit në Shtëpinë e Bardhë.

Dashuria e Podestas për show-n televiziv “X-files”, së bashku me magjepsjen e tij për çdo gjë që është jashtëtokësore, është e dokumentuar dhe e faktuar. Në vitin 2002, Podesta vetëm sa diskutoi mbi rëndësinë e zbulimit të të dhënave qeveritare mbi UFO-t, në një konferencë të organizuar nga Koalicioni për Lirinë e Informimit.

“Mendoj se ka ardhur koha të hapim faqet e reja të historisë, ndaj pyetjeve që kanë mbetur ende pa përgjigje dhe të fshehura në errësirë, ndaj dyshimeve për hetimet qeveritare të UFO-ve”, tha ai. “Ne duhet ta bëjmë këtë, seriozisht, sepse është e drejtë. Duhet ta bëjmë sepse populli amerikan, krejt sinqerisht mund ta përballojë të vërtetën. Duhet ta bëjmë, sepse është e ligjshme”.

Së fundi, Podesta shkroi edhe parathënien e librit të Leslie Kean, të vitit 2010, “UFO-t: Gjeneralë, pilotë dhe zyrtarë qeveritarë, shkoni dhe hapni dosjet e tyre”.

Dëshira e publikut për informacione mbi UFO-t mbetet ende e fortë. Më herët gjatë këtij viti, një mori të dhënash për UFO-t pushtuan faqet e internetit, kur entuziasti për ekzistencën e tyre, John Greenwald, postoi disa dosje të deklasifikuara nga projekti “Libri blu” – dosje të Forcave Ajrore amerikane mbi pretendimin e vëzhgimeve të UFO-ve dhe qenieve jashtëtokësore, – në një bazë të dhënash online.

Greenwald kaloi dekada të tëra për hartimin dhe depozitimin e kërkesës për Aktin e Lirisë së Informimit mbi këtë çështje. Gjithsesi, referim i paktë është bërë për Roswell, në Nju Meksiko, në këtë bazë të dhënash. Incidenti i pretenduar i Roswellit në 1947 vazhdon të jetë burim i qëndrimeve kontroverse, teksa teoricienët e konspiracionit pretendojnë se ushtria amerikane ka gjetur dhe ka fshehur prova për një përplasje me një anije kozmike të alienëve.

Top Channel