Mazhoranca rivoton Ligjin e Borxhit

17/02/2015 00:00

Komisioni i Ekonomisë rrëzoi me votat e shumicës dekretin e Presidentit, që ktheu për rishqyrtimin Ligjin e ri të Borxhit.

Ligji zhvesh Qeverinë nga detyrimi për t’i miratuar në Parlament kredite që merr në tregjet ndërkombëtare. Në dekret, Presidenti argumenton se kjo shkel Kushtetutën, por maxhoranca mendon ndryshe.

“Duke i bërë një analizë argumenteve kryesorë, që janë përdorur në relacionin shoqërues të Dekretit të Presidentit, nga pikëpamja ligjore dhe kushtetuese, sikurse është shprehur edhe Komisioni i Ligjeve në mbledhjen ku u diskutua këtë ligj, janë tërësisht të tejkalueshme për të mos cënuar Kushtetutën e Republikës”, tha deputeti i PS-së, Anastas Angjeli.

Opozita e mbështeti Dekretin, duke i kërkuar maxhorancës të mos e miratojë ligjin.

“Këtu po miratohet një ligj antikushtetues”, tha deputeti i PD-së, Ridvan Bode.

Neni 121 i Kushtetutes detyron që marrja e përsipër e detyrimeve financiare nga jashtë duhet të kalojë me ligj të veçantë në Parlament. Kjo ka krijuar një ngërç me kosto publike, pasi kur del në tregun e lirë ndërkombëtar, Shqipëria duhet të publikojë normën e interesit në avancë ende pa u zhvilluar ankandi.

Qeveria thotë se ligji i ri e korrigjon këtë ngërç dhe lehtëson qytetarët nga kostot e borxhit.

“Rezultati i pritshëm i këtij ligji është ulja e kostove të borxhit dhe mbrojtja e interesit publik”, tha ministri i Financave, Shkëlqim Cani.

Por Ridvan Bode mendon se anashkalimi i Kushtetutës dhe Parlamentit do të rrisë rrezikun që perceptojnë huadhënësit duke sjellë kosto më të larta të kredive.

“Rrisqet e garancive që vijnë nga kontratat e tilla perceptohen më të mëdha. Eshtë ndryshe një kontratë që miratohet me ligj të veçantë në Parlament dhe ndryshe një kontratë që lidhet në treg”, tha Bode.

Në fund të vitit Qeveria do të duhet të marrë minimalisht 300 milionë euro borxh në tregun ndërkombëtar për të rinovuar Eurobondin.

Top Channel