Ukrainë, shkelet armëpushimi, raportohen luftime në Debaltseve

17/02/2015 00:00

Ajo që i trembeshin më shumë udhëheqësit perëndimorë dhe ata ukrainas po ndodh. Marrëveshja e paqes e nënshkruar më pak se një javë më parë në Minsk të Bjellorusisë, nuk po respektohet nga separatistët pro-rusë në Lindje.

Raportime të ndryshme flasin për luftime të ashpra për kontrollin e qytetit të konsideruar strategjik të Debaltseve-s. Rebelët thonë se kanë marrë nën kontroll pjesën më të madhe të qytetit, por ushtria ukrainase thotë se nuk ka lëvizur prej pozicioneve të saj.

Vëzhguesit ndërkombëtarë, të ngarkuar me detyrën e vështirë të mbikqyrjes së respektimit të marrëveshjes në terren, thonë se e kanë të pamundur të hyjnë në qytet.

Kievi akuzoi separatistët për shkelje të armëpushimit që hyri në fuqi më 15 shkurt duke thënë se po shkatërrohen shpresat për paqe.

Zëdhënësi i Presidentit Poroshenko, Valery Chaly në një konferencë për shtyp i bëri thirrje pjesëmarrësve në nënshkrimin e marrëveshjes së paqes, Bashkimit Europian dhe NATO-s që të protestojnë kundër aksioneve të rebelëve në lindje.

Ministri i Jashtëm francez, Lauernt Fabius tha se pikët kryesore të marrëveshjes nuk po respektohen, duke iu referuar këtu raportimeve për luftime të reja në Debaltseve dhe mostërheqjes së artilerisë së rëndë nga të dyja palët.

Të hënën përfundoi afati i nisjes së tërheqjes, por asnjëra prej palëve në konflikt nuk ka lëshuar terren.

Një zëdhënës i të vetshpallurës Republika Popullore e Donetskut tha për agjencinë ruse të lajmeve, Interfax se stacioni i policisë dhe stacioni hekurudhor ndodheshin nën kontrollin e rebelëve dhe se vazhdonte operacioni për vënien nën kontroll të të gjithë qytetit.

Ka raportime se ushtria ukrainase po lëviz artilerinë drejt Lohvynove, një tjetër zone e kontrolluar nga rebelët, prej nga synon marrjen e Debaltseve, por këto raportime nuk mund të konfirmohen. Rebelët thonë se do të tërheqin artilerinë e tyre nga zonat e frontit ‘të qeta’, por pa dhënë një afat kohor se kur do të ndodhë kjo.

Ndërkohë separatistët njoftuan se 300 ushtarë ukrainas u dorëzuan në Debaltseve dhe televizionet ruse transmetuan pamjet ku thuhej se bëhej fjalë për 72 ushtarë të zënë rob.

Ushtria ukrainase njoftoi se ka patur luftime të ashpra në këtë qytet dhe konfirmoi se pjesë të këtij qyteti kontrollohen prej rebelëve.

“Trupat tona po mbajnë pozicionet e tyre dhe kanë të gjithë të drejtën dhe autorizimin t’i kundërpërgjigjen të shtënave për të ruajtur këto pozicione që mbajnë prej muajsh”, citohet prej Interfax zëdhënësi i ushtrisë, Andiy Lysenko.

Ka raportime se forcat e Kievit kanë marrë nën kontroll një rrugë që u lejon atyre të furnizohen me ushqime dhe ilaçe e të nxjerrin prej frontit të vrarët dhe të plagosurit e konfliktit.

Ndërkohë, në faqet ruse në internet qarkulloi lajmi se Alexander Zakharchenko, njëri prej udhëheqësve separatistë është plagosur në këmbë gjatë luftimeve në Debaltseve. Të njëjta burime thonë se rebelët kanë krijuar një korridor të sigurtë për trupat ukrainase që duan të largohen nga qyteti.

Prej muajsh Debaltseve ka qenë fushëbeteja e palëve në konflikt, por korrespondentët ndërkombëtarë thonë se kjo është hera e parë që raportohen luftime kaq të ashpra në qytet.

Pjesa më e madhe e 25 mijë banorëve të tij janë larguar, por besohet se 7 mijë të tjerë kanë mbetur të bllokuar si pasojë e luftimeve.

Armëpushimi është në fuqi që prej së dielës, por për separatistët marrëveshja nuk mund të aplikohet në Debaltseve pasi ata kanë nën kontroll qytetin. Një zëdhënës i “Republikës Popullore të Donetskut” e konsideroi këtë qytet si ‘territor të brendshëm, nga i cili nuk mund të tërhiqeshin’.

Në Luhanskun fqinj, udhëheqësi i vetshpallur, Igor Plotnitsky tha se kishte urdhëruar tërheqjen e tankeve dhe artilerisë së rëndë në vijën e rënë dakort në Minsk, por pretendimet e tij nuk mund të konfirmohen në mënyrë të pavarur.

Që nga nisja e konfliktit në muajin prill të vitit të kaluar të dhënat zyrtare thonë se kanë gjetur vdekjen të paktën 5400 persona, një pjesë e madhe e të cilëve civilë. Por OKB beson se numri është tejet më i lartë dhe veç kësaj ka lëshuar alarmin për krizën humanitare pasi qindra-mijëra banorë të zonave të konfliktit kanë braktisur shtëpitë e tyre.

Top Channel