Beteja me vdekjen e 12-vjeçares, që u përplas nga treni

17/02/2015 00:00

Në Spitalin e Traumës në Tiranë, 12-vjeçarja, që u përplas nga treni ndërsa shkonte për në shkollë, po lufton mes jetës dhe vdekjes. Babai i Klejdës, Arbeni, tregon për “Pasdite në Top Channel” momentin kur mori vesh lajmin, si dhe gjendjen aktuale të vajzës.

“U nisa për në punë në mëngjes dhe gjatë udhëtimit më merr në telefon vëllai dhe më thotë se vajza kishte pësuar aksident, pasi ishte përplasur nga treni. Kthehem urgjentisht për të shkuar në vendin e ngjarjes, ku një shoku im më tha të shkoja në spital se vajza ishte shumë rëndë”, rrëfen Arbeni.

Ata e kanë sjellë menjëherë vajzën pranë Qendrës së Traumës, por gjendja e saj vazhdon të jetë në rrezik.

“Shkova në spital, pashë vajzën dhe u shtanga. Ishte e fashuar nga të gjitha anët dhe nga koka, si dhe pa ndienja. Doktorët e rrethit të Lushnjes bënë të pamundurën, e mbajtën rreth 1 orë aty me qetësues dhe serume, dhe sugjeruan nisjen për në Tiranë”, thotë më tej Arbeni.

Lagjja ku ka ndodhur aksidenti quhet Faradhë dhe ndodhet në perëndim të Lushnjes. Ajo është një lagje e madhe dhe ka disa dalje, që kalojnë mbi hekurudhë. Duke qenë se shkolla e lagjes është përtej hekurudhës, në këtë mënyrë kalojnë shumë fëmijë.

“Treni na kalon pranë ditë për ditë. Zakonisht rrimë e presim deri sa të kalojë. Për sa kohë që ekziston një lapidar këtu, atëherë do të ketë ndodhur edhe herë të tjera një ngjarje e tillë”, thotë një nxënës shkolle, i cili theksoi se bënte kujdes kur kalonte.

Ndonëse nënkalimi ndodhet vetëm 30 metra larg vendit ku ka ndodhur ngjarja, fëmijët, por dhe të rriturit, shpesh preferojnë të kalojnë mbi shina.

“Në momentin kur kalon treni duhet të ketë një njeri që të ngrejë një tra apo flamur. Kjo për të ndaluar njerëzit të kalojnë deri sa të largohet treni”, thotë një banore e moshuar.

Ngjarja ndodhi sot në orën 7:30 të mëngjesit. Banorët e zonës tregojnë se në 10 vitet e fundit, ky është rasti i dytë i një aksidenti të ngjashëm. I pari pati viktima, ndërkohë që shpresat për Klejdën ende nuk janë shuar.

“Është në gjendje kritike, por me besim ndaj doktorëve, shpresojmë që të dalë me sukses operacioni”, tha babai i vajzës së aksidentuar.

Top Channel