Transformimet e sloganit më të famshëm të Kosovës së Pavarur

17/02/2015 00:00

Më 17 shkurt 2008, ndër simbolet që u shfaqën rishtazi për shtetin më të ri në botë, u prezantua edhe një vepër ndryshe nga të tjerat. E thjeshtë në strukturë, por me një mesazh global: Newborn.

Mes shumë debatesh për këtë slogan, sepse disa e cilësonin si të pavend, sepse shqiptarët ishin prej shekujsh aty dhe nuk ishin të sapolindur, ky vend u bë një atraksion për të gjithë ata, që e vizitojnë Prishtinën. Në të hodhën firmën njerëzit më të rëndësishëm të shtetit të Kosovës, si edhe qytetarë të thjeshtë.

Në vitin 2013, kur Kosova festonte 5 vite Pavarësi, ideuesi i “Newborn” Fisnik Ismajli vendosi që ta mbulojë me flamujt e vendeve, që e kishin njohur Pavarësinë e Kosovës deri në atë ditë. Shumë persona u angazhuan në lyerjen e tij, në mënyrë që të ishte gati për ditën e madhe të festimeve.

Shkurti i vitit 2014 do ta transformonte shërish sloganin më të famshëm në Kosovë. Këtë radhë, ai u vesh me uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pasi ishte 15-vjetori i çlirimit të vendit. Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje zgjodhi këtë formë, për të rikujtuar ata që veshën uniformën për të mbrojtur Kosovën.

Viti 2015 e gjen “Newborn”-in 7 vjeç. Në këtë përvjetor të Pavarësisë, Fisnik Ismajli u la dorë të lirë njerëzve, për të zgjedhur ata sesi do ta ngjyrosnin veprën e tij.

Në këtë pikturim të lirë, ajo që tërhoqi vëmendjen e të gjithëve ishte “E”-ja me ngjyrë të zezë. Sipas Ismajlit, kjo mund të simbolizojë shumë gjëra si: eksodin, Europën, ekonominë, apo edhe EULEX-in. Në tërësi, shumë pjesë të murit janë mbuluar me shkrime apo figura, ku mbizotëron e zeza.

Në një komunikim me “Pasdite në Top Channel”, Fisnik Ismajli u shpreh: “Mua nuk më takon ta ngjyros më. E kam bërë dy herët e para, aq sa të bëhej traditë. ‘E’-ja mu duk gjetje e mirë. Personalisht kam pasur dhe vazhdoj të kem momente aq të shpeshta dëshpërimi, saqë mendoj se do ta kisha lyer të gjithin të zi”.

Top Channel