7-vjetori i Pavarësisë, seanca solemne e Kuvendit të Kosovës bojkotohet nga serbët

17/02/2015 00:00

Kuvendi i Kosovës kremtoi 7-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Ambasadorë të akredituar në Prishtinë dhe ish-deputetë, që firmosën aktin më të lartë të shtetësisë, ishin prezentë në seancën solemne, ku nuk mungoi as presidentja Atifete Jahjaga.

Seancën solemne, ku festohej ditëlindja e shtetit më të ri, sërish e kanë bojkotuar deputetët serbë. Ndërsa deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë hyrë në sallën e Kuvendit pas përfundimit të himnit shtetëror të Kosovës.

Largimi i mijëra kosovarëve për të kërkuar jetë më të mirë larg vendlindjes, nuk u la pa u përmendur në fjalimet e krerëve të shtetit.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, kujtoi sakrificat e shumë gjeneratave deri në shpalljen e Pavarësisë. Ai tha se falë sakrificës së luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ndihmës së Shteteve të Bashkuara e vendeve të Bashkimit Evropian, sot Kosova gëzon lirinë dhe pavarësinë.

Ai i ftoi të gjithë, që të punojnë më shumë për të bërë ndryshimet e pritura në vend.

“Kosova kurrë nuk ka qenë e as nuk do të jetë vend që gjeneron ekstremizëm. Toleranca është shpirti ynë. Kosova kurrë nuk ka qenë dhe nuk do të lejojmë të bëhet vend i shpresave të humbura për qytetarët e saj. Qëndrimi në atdhe është shpirti ynë, jo ikja prej tij. Ndryshimi në atdhe është detyra jonë e përbashkët. Kosovën do ta bëjmë ashtu si e deshën paraardhësit tanë, ashtu si e duan pasardhësit tanë”, tha Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Kryeministri Isa Mustafa foli para të pranishmëve, për punët që e presin Kosovën në vitin e tetë të Pavarësisë, për të krijuar mirëqenie më të mirë për qytetarët. Ai, me këtë rast, i ftoi të gjithë azilkërkuesit kosovarë që të kthehen në vendlindje.

“Kosovarët nuk janë popull që jetojnë me ndihma dhe ne e dimë, që qindra e mijëra qytetarë tanë u kthyen në qershor të vitit 1999 nga mërgimi, edhe pse kishin të drejtën e azilit dhe kishin mundësi të fitonin azilin atje. Ata nuk e këmbyen lirinë me azilin, nuk e këmbyen me ndihmat, por erdhën të jetojnë nga puna e tyre, në vendin e lirisë. Edhe sot, pres që qytetarët tanë të kthehen e të punojnë në vendin e tyre. Ky është vend i sigurt për ta”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

“Shtatë vite pasi votuan shpalljen e Kosovës shtet të pavarur dhe demokratik, deputetët kosovarë edhe këtë vit kanë vendime të rëndësishme para vetes. Vendimi më sfidues për ta pritet të jetë votimi për formimin e Gjykatës Speciale të UÇK-së, ndërsa vendim tjetër sfidues do të jetë formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës, për të cilat nevojiten edhe votat e deputetëve serbë”.

Top Channel