Presidenti, Tsipras propozon Pavlopoulos, ish-ministër i Brendshëm i “Karamanlis”

17/02/2015 00:00

Duke surprizuar shumë vetë, si nga qarqet e majta politike ashtu edhe nga ato të djathta, por duke ruajtur traditën e politikës greke në dekadat e fundit, edhe kryeministri grek Aleksis Tsipras ka propozuar një kandidat të krahut kundërshtar për postin e Presidentit të Republikës së Greqisë, një muaj para se të mbarojë mandati i Presidentit aktual, Karolos Papoulias.

Në një fjalim para grupit parlamentar të partisë së tij, Tsipras ka propozuar për postin simbolik të kreut të shtetit Prokopis Pavlopoulos, ish-ministër i Brendshëm në Qeverinë konservatore të Kostas Karamanlis, një nga të vetmit deputetë të së djathtës, që nuk ka votuar pro marrëveshjeve të kredive gjatë periudhës së Qeverisë “Samaras”.

Pavlopoulos, i cili është lindur në 1950-n në Kalamata, ka mbaruar Juridikun e Athinës. Në vazhdim ka mbrojtur doktoraturën në Universitetin e Sorbonës për të Drejtën Publike, e më pas ka ndjekur një karrierë akademike në disa universitete të Athinës dhe Parisit, e shoqëruar me një bibliografi tepër të vlerësuar.

Përsa i përket karrierës politike është zgjedhur deputet me Demokracinë e Re prej vitit 1996 deri në vitin 2012. Gjatë kësaj periudhe ka qenë kryetar i grupit parlamentar të konservatorëve, duke gëzuar respektin e plotë të tyre, zëdhënës i Qeverisë dhe, së fundmi në Qeverinë “Karamanlis”, ka mbajtur postin e ministrit të Brendshëm dhe të Administratës Civile, prej vitit 2004 deri në vitin 2009.

Ajo që i ka dhënë pikë, më shumë se kandidaturat e tjera që ka pasur në tryezë kryeministri Tsipras për këtë post, ka qenë fakti se ka kundërshtuar disa ligje të sjella në Parlament nga ish-kryeministri Samaras, të konsideruara si antikushtetuese.

Kandidatura e tij vlerësohet se do të mbështetet jo vetëm nga 162 deputetët, që përbëjnë shumicën parlamentare, që përkrah koalicionin qeveritar të radikalëve të majtë dhe Grekëve të Pavarur, por edhe nga ligjvënësit konservatorë. Kështu që pritet të sigurojë mbi 180 vota, që kërkohen për zgjedhjen e presidentit që në seancën e parë parlamentare, e cila do të fillojë mbrëmjen e së mërkurës.

Top Channel