7 vjet më pas, të rinjtë kosovarë të zhgenjyer

17/02/2015 00:00

Qytetarët e Kosovës mund ta mbajnë mend fare mirë tortën giigante të pavarësisë, por pak kujt atë kohë do t’i shkonte mendja se jeta në Kosovën e pavarur nuk do të ishte aq e ëmbël sa simbolika që mbante vetë torta.

Pronari i pastiçerisë që e bëri tortën, Ramadan Ukiqi  thotë se atë kohë dëshironte të përçonte mesazhin se Kosova është vend i paqes, stabilitetit dhe vend i ëmbël për të gjithë.

“Atëherë duhej të bëhej një tortë me identetin e Kosovës dhe si ta bëjë atë që të duket sa më identike për atë festë të madhe dhe më në fund erdha në ide ta bëjë tortën në formë të hartës gjeografike. Të dalin edhe 27 pëllumba që simbolizonin 27 vendet europiane dhe pëllumbi i 28 të jetë Kosova më e veçantë, më e bukur”, deklaron ai.

Por sot në 7-vjetorin e Pavarësisë zhgënjimi ka kapluar edhe shpirtin e një sipermarrësi bashkë me vullnetin e tij për vepra të tilla simbolike.

“Jo vetëm unë, por shumica e popullatës kemi pritë shumë më shumë dhe e kemi dëshiruar një shtet të pavarur dhe sovran në të cilin të gjithë qytetarët e Kosovës do ta gjejnë vetën sidomos ekonomikisht”, shton Ramadani.

Sikurse në cdo vit tjetër edhe në përvjetorin e shtatë të pavarësisë, simboli i pavarësisë “Neëborn” ka ndryshuar pamjen. Një grup artistësh këtë vit është kujdesur që shkronjën E ta ngjyrosë me të zeze duke simbolizuar eksodin masiv që kaploi Kosovën këto ditë, Eulexin, por edhe ekonominë, një nga problemet shqetësuese.

Mungesa e dorës së shtetit në aspektin e zhvillimit ekonomik ka prekur padyshim përspektivën e të rinjve të Kosovës.

Granit dhe Diorit Bajrami, që të dy studentë, njëri për marketing e tjetri në shkenca kompjuterike thonë se pavarësisht përpjekjeve e kanë vështirë të ecin përpara qoftë për të siguruar një vend pune apo për t’u përmirësuar profesionalisht.

“Unë kam mbaruar studimet për marketing dhe vijoj studimet master në marketing. Pothuajse kam aplikuar çdokund, mëse 30 vende pune, por asnjëherë nuk jam thërritur në intervistë. Pjesa më interesante është se edhe për praktikë më është kërkuar përvoja e punës. Rast interesant është se kam aplikuar në një bankë në kosovë, ka qenë për punë praktike për studentë, por edhe aty është cekë se përparësi kanë ata që kanë përvojë pune. Rast tjetër ka qenë një konkurs i bujqësisë për mbarë Kosovën. Testi ka qenë shumë i lehtë mendoj që e kam plotësuar mirë, por as aty nuk jam ftuar”, thotë Graniti.

Nga ana tjetër Dioriti tregon përvojën e hidhur me institucionet e Kosovës të cilat sipas tij nuk i përkrahin programuesit e rinj dhe idet inovative që ai dhe një grup shokësh përpiqen t’i realizojnë.

“Të ardhmen time unë e shoh në sektorin privat sepse aty e kemi përkrahjen më të madhe, duke parë p.sh programet e ndryshme që i kam krijuar unë. Kemi shkuar tek institucione shtetërore, kemi kërkuar përkrahje, por nuk kemi gjetur asnjë përkrahje nga ta”, thotë ai.

“Shtate vite më pas kemi arsye për festime, por kemi arsye për të mos qenë të kënaqur, prandaj zërat kritik që janë shfaqur kohëve të fundit për të mos festuar duhet t’i kuptojmë sepse të gjithë ne duam që kjo pavarësi të jetë e vërtetë, të shtrihet dora e pushtetit në gjithë territorin e Kosovës që politikanët të marrin vendime në të mirë të qytetarëve, që të ketë mirëqenie, që të ketë punësim, të jetë kjo një Kosovë për të cilën kanë ëndërruar”, thotë Besa Luzha, njohëse e proceseve në Kosovë.

E pikerisht për shkak të pakënaqësive sociale duket se ky përvjetor i shtatë i pavarësisë i gjen mijëra qytetarë jashtë Kosovës.

Top Channel