Komisioneri evropian për Zgjerim, Johannes Hahn, ka takuar të martën përfaqësuesit politik në Maqedoni, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për krizën e thellë, në të cilën është përfshirë vendi pas publikimit të aferës së përgjimeve.

Hahn, para politikanëve në Shkup, mësohet të ketë prezantuar një plan për daljen nga kjo situatë, për të cilin nuk ka dhënë detaje për mediat.

“Po përpiqem të gjej një zgjidhje. Nuk dua ta bëj publike, por do të jetë në interes të shtetit”, tha Johannes Hahn, komisioner i BE-së për Zgjerimin.

Gjatë një takimi që zgjati rreth dy orë, në rezidencën e Bashkimit Evropian në Shkup, kryeministri Nikolla Gruevski tha se e kishte informuar Hahn-in për të gjitha zhvillimet e fundit në Maqedoni.

“Kjo ishte një mundësi e mirë, që ta informoja Komisionerin gjerësisht për të gjitha zhvillimet, për të gjitha hapat që kemi ndërmarrë në sektorë të ndryshëm, dhe të dëgjoja nga ai sesi ata i shohin këto veprime dhe çfarë presin nga ne. Biseduam edhe për situatën aktuale politike. Ia tregova të vërtetën, respektivisht atë që është duke ndodhur”, tha Nikolla Gruevski, kryeministër i Maqedonisë.

Për situatën e fundit, Komisioneri evropian për Zgjerimin, Johannes Hahn, ka biseduar edhe me liderin e LSDM-së opozitare, Zoran Zaev, i cili e ka informuar se do të vijojë procesin e publikimit të të gjitha aferave korruptive dhe kriminale të Qeverisë.

Hahn, për situatën e rënduar politike në Maqedonisë, gjatë ditës së martë ka biseduar edhe me presidentin Gjorgje Ivanov, kryetarin e Parlamentit Trajko Veljanovski, si dhe me liderin e BDI-së, Ali Ahmetin.

Top Channel