Turqit, ndihma për familjet e përmbytura në Berat

17/02/2015 00:00

Bashkia turke e Baçelarit, me të cilën Bashkia e Beratit ka një binjakëzim disavjeçar, ka ofruar një ndihmë financiare për familjet e përmbytura në këtë qytet, e cila do të pasohet në ditët në vijim me shumë ndihma në ushqime.

Gjashtë mijë dollarë janë dhënë nga vetë kreu i kësaj bashkie sot, gjatë një takimi të bërë në Bashkinë e Beratit, shumë e cila do t’i shkojë në ndihmë familjeve që u përmbytën nga vërshimi i lumit Osum.

Kryetari i Bashkisë së Baçelarit, Lokman Çagirici, u takua sot me kreun e Bashkisë së Beratit, Fadil Nasufi, i cili e njohu me situatën e përmbytjeve, duke theksuar nevojën e investimeve afatgjata për shmangien e këtij problemi.

Më pas kryetari i bashkisë së Baçelarit u shpreh në fjalën e tij se nuk kishte si mos t’i gjendej pranë banorëve të zonave të përmbytura, ndërsa theksoi se nëpërmjet Fondacionit TIKA janë të shumta investimet në këtë qytet.

Shuma prej gjashtë mijë dollarësh do të përllogaritet dhe do i ndahet familjeve të përmbytura në këtë zonë, ndërkohë që pas disa ditësh pritet të shpërndahet dhe një sasi ndihmash po nga kjo bashki.

Top Channel