KE akordon 118 mijë euro shtesë për të përmbyturit

17/02/2015 00:00

Komisioni Europian njoftoi për 118 mijë euro ndihmë shtesë ndaj 8000 shqiptarëve, që banojnë në zonat më të dëmtuara nga përmbytjet, duke ofruar pako ushqimore e higjenike, batanije, si dhe informacion shpjegues për kujdesin ndaj shëndetit, në mënyrë që të shmangen epidemitë e mundshme, veçanërisht pas largimit të ujrave.

Paratë vijnë nga Fondi për Ndihmën Emergjente ndaj Fatkeqësive, të Federatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq e Gjysmëhënës së Kuqe, dhe ndihma përcillet përmes Kryqit të Kuq shqiptar. Tirana aplikoi për këtë ndihmë, ndërsa Shkupi jo, sqaroi zëdhënësja e Komisionit, Catherine Ray, kur u pyet pse nuk shkon e njëjta ndihmë për Maqedoninë.

“Po, e lajmëruam sot këtë ndihmë për Shqipërinë, ndërsa Maqedonia nuk e ka kërkuar për momentin. Nuk ka aplikuar për ndihmën e BE-së. Sigurisht që ne e monitorojmë nga afër situatën në vend dhe do të reagojmë nëse nevojitet”, tha Catherine Ray, zëdhënëse e KE.

Kjo ndihmesë vjen pas ndihmës së dhënë nga disa vende pjesëmarrëse  të mekanizmit të BE-së për mbrojtjen civile. Sipas komisionit, Austria, Kroacia, Sllovakia e Mali i Zi kanë dërguar shtretër, dyshekë praktikë, batanije, tenda, enë kuzhine, gjeneratorë, çizme shiu dhe pallto drejt Shqipërisë, ndërsa një ekip u nis nga Brukseli drejt Tiranës për të koordinuar ndihmën e ardhur.

“Ky është solidariteti europian në praktikë”, shprehet në komunikatën e posaçme për shtyp, Komisioneri për Ndihmën Humanitare dhe Përgjigjen ndaj Krizave, Stylianides.

Komisioni Europian kontribuon çdo vit për Fondin e Emergjencës ndaj Fatkeqësive të Federatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, dhe kjo shumë sipas marrëveshjes së 2014-s është 3 milionë euro.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel