KS mbështet marrëveshjen e paqes, tjetër paralajmërim i SHBA për Rusinë

18/02/2015 00:00

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi në unanimitet
rezolutën e propozuar nga Rusia për respektimin marrëveshjes së
armëpushimit në Ukrainën Lindore, të arritur javën e kaluar në Minsk të
Bjellorusië.

Megjithë votën unanime takimi u shoqërua me debate të ashpra mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Ambasadorja amerikane në OKB, Samantha Power tha se Uashingtoni mirëpret këtë marrëveshje, por akuzoi Rusinë për shkelje të saj dhe se pret prej Moskës që të vërtetojë zotimet e bëra për paqe.

“Ndal armatosjes së separatistëve! Ndal dërgimit të qindra armëve të rënda dhe ushtarëve përtej kufirit! Mjaft pretenduat se nuk po bëni atë që në fakt jeni duke e bërë”, deklaroi Power.

Ajo tha se Rusia ulet në tryezat e paqes, firmos marrëveshje dhe më pas bën gjithçka për shkeljen e tyre.

“Rusia nga njëra anë kërkon respektimin e sovranitetit të vendeve, por me fqinjët vepron sikur kufijtë nuk ekzistojnë fare”, tha Power.

Ambasadori rus, Vitaly Churkin i cilësoi deklaratat e përfaqësueses amerikane si tejet fyese.

“Që prej nisjes së krizës, Rusia në mënyrë të vazhdueshme ka bërë thirrje për një zgjidhje paqësore, gjithëpërfshirëse dhe transparente nëpërmjet dialogut mes të gjitha palëve të përfshira në konfliktit e brendshëm ukrainas”, tha Churkin.

Ndërkohë, zv.Presidenti amerikan, Joe Biden deklaroi se kostot e konfliktit për Moskën do të rriten nëse vazhdon të shkelë pikat e marrëveshjes së nënshkruar.

Marrëveshja e Minskut, e dyta pas asaj të nënshkruar në muajin shtator të vitit të kaluar, është shkelur nga luftimet në qytetin strategjik të Debaltseve-s, ku rebelët pro-rusë thonë se e kanë nën kontroll tashmë.

Biden tha pas një bisede me presidentin ukrainas, Petro Poroshenko se SHBA dënon shkeljen e armëpushimit të 12 shkurtit nga ana e rebelëve të mbështetur nga Rusia.

Ndërkohë, nga Hungaria ku ndodhet për një vizitë zyrtare, nëpërmjet së cilës Putin synon të tregojë që ka aleatë brenda BE-së, presidenti rus kërkoi që trupat ukrainase në Debaltseve të dorëzohen dhe ‘se shpresonte që ushtarët e zënë rob të lirohen e të kthehen pranë familjeve të tyre”.

Shefi i Kremlinit tha se luftimet në Debaltseve ishin të parashikueshme, por për të kjo nuk do të thotë se nuk po respektohet marrëveshja e nënshkruar.

“Që prej nënshkrimit të saj ka një ulje domethënëse të luftimeve. Në Debaltseve luftimet ishin të parashikueshme dhe për këtë paralajmëruam edhe në bisedimet e Minskut, duke thënë se me ose pa marrëveshje, trupat e rrethuara do të përpiqen të çajnë rrethimin”, deklaroi ai.

Top Channel