Fier, parandalohet vrasja, një në pranga

18/02/2015 00:00

Tenton të vrasë fqinjin e tij, policia ndërhyn në kohë për të parandaluar tragjedinë.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Strumë të Fierit, ku në pranga ka rënë Arshin Vrapi, 30 vjeç, i cili ka tentuar të qëllojë me armë zjarri të modifikuar bashkëfshatarin e tij me iniciale M.T.

Policia është njoftuar nga ky i fundit për rrezikun që i kanosej. Pas marrjes së njoftimit, policia shkoi me shpejtësi në banesën e Vrapit dhe gjatë kontrollit në banesë i gjeti një armë zjarri të modifikuar, dy palë dylbi, dy thika, një gjerdan me 7 fishekë gjuetie.

Nga të dhënat paraprake dyshohet se motivi i sherrit mes fqinjëve ka lindur për shkak të kullotjes së bagëtive, ku 30-vjeçari ka pretenduar që po i bëhej një padrejtësi nga M.T. Ndaj tij rëndojnë akuzat e kanosjes dhe armëmbajtjes pa leje.

Arshin Vrapi është djali i autorit të vrasjes së katërfishtë Bajram Vrapi, që vrau më 22 korrik 2014, dy vëllezërit, njërën prej kunatave e mbesën 17-vjeçe, para se t’i jepte fund jetës.

Top Channel