Mediat greke raportojnë se Athina do të paraqesë zyrtarisht këtë të mërkurë kërkesën për zgjatjen e programit të huasë me gjashtë muaj të tjerë.

Huaja e kërkuar nuk do të jetë një zgjatje e programit të deritanishëm, që shoqërohet me një sërë masash shtrënguese ekonomike dhe financiare.

Të hënën Greqia refuzoi zgjatjen planin e paraqitur nga huadhënësit ndërkombëtarë për zgjatjen e programit të ndihmës duke e cilësuar atë si ‘absurd’.

Plani aktual i ndihmës përfundon më 28 shkurt dhe pa një marrëveshje muaji mars do të gjente arkat greke pa para. Athina ka kohë deri të premten për të vendosur për planin e propozuar nga Eurogrupi që kërkon fillimisht nënshkrimin e një marrëveshjeje ku pala greke të zotohet se nuk do të prekë masat aktuale, e më pas të shqyrtohet ndonjë lehtësi.

Pas marrëveshjes paketa e ndihmave duhet të marrë edhe miratimin e qeverive të Eurozonës, ndaj koha për Athinën është mjaft e kufizuar. Por për Kryeministrin grek nuk ka asnjë nxitim. Madje në të njëjtën ditë kur përfundon afati i vendosur nga Eurogrupi, ai ka thërritur një seancë parlamentare ku në rend të ditës do të jetë shfyqizimi i disa masave shtrënguese.

Ndërkohë, Banka Qendrore Europiane do të mblidhet për të vendosur nëse do të vazhdojë të mbështesë nga fondet e emergjencës bankat greke apo jo. Ka raportime se Gjermania po ushtron presion mbi këtë institucion për të mos lejuar lëvrimin e këtij fondi, si pjesë e përpjekjeve për të bindur Athinën që të nënshkruajë zgjatjen e programit aktual.

Ngërçi ka shkaktuar panik që është reflektuar në tregje. Bursa greke u mbyll me 2.45 përqind humbje të martën, ndërkohë që banka amerikane, “JP Morgan” thotë se çdo javë nga bankat greke tërhiqen 2 miliard euro dhe nëse ky trend do të vazhdojë, brenda 14 javësh këto banka do të mbeten kolateral për kreditë e reja.

Top Channel