Korçë, dyshohet për abuzim në spital, KLSH në prokurori listë emrash

18/02/2015 00:00

Një abuzim skandaloz me fondet e spitalit rajonal të Korçës ka bërë që
Kontrolli i Lartë i Shtetit të çojë në Prokurori një listë të gjatë
emrash mes të cilëve ish-drejtues dhe punonjës të spitalit.

Ka qenë një audit i brendshëm, i cili ka zgjatur disa javë duke nxjerrë në dukje shkeljet e bëra në mënyrë periodike nga ish-drejtuesit njëri-pas tjetrit. Burime të rezervuara bëjnë me dije se pak muaj më parë kur ka nisur auditi ish-drejtuesit janë thirrur në Drejtorinë e Spitalit Rajonal të Korçës lidhur me veprimet e tyre që kanë shkaktuar skandalin në fjalë.

Dosja e depozituar pranë prokurorisë së Korcës bën fjalë për abuzime me blerjet e aparaturave të ndryshme të spitalit përgjatë 4 viteve të fundit. Sipas të dhënave në raportin e KLSH, auditi ka konstatuar se 4 ish-drejtues të spitalit prej viti 2010 e deri në 2014 -ën dhe vartës të tyre i kanë shkaktuar spitalit një dëm prej 700 mln lekësh përmes blerjeve abuzive.

Duket se ata kanë deklaruar blerjet mbi vlerën reale duke përfituar shuma marramendëse çka ka bërë që KLSH të depozitojë kallëzimin penal për abuzimet. Në raport janë listuar emrat e 4 ish drejtuesve dhe 10 vartësve të tyre ku janë detajuar edhe shkeljet. Dosja voluminoze do të shqyrtohet nga grupii task forcë pranë organit hetimor për të vijuar edhe me ngritjen e akuzave konkrete pas hetimit të plotë.

Top Channel