SHBA, bllokohet reforma e emigracionit, gjykata pengon Obamën

18/02/2015 00:00

Një ditë përpara se qindra mijëra emigrantë të paligjshëm të nisnin aplikimet për leje pune dhe mbrojtje ligjore, zyrtarët e administratës amerikane u detyruan të shtyjnë veprimet ekzekutive mbi emigracionin për një periudhë të pacaktuar kohe, me argumentin se nuk kanë rrugë tjetër përveçse t’i binden vendimit të një gjykate federale për bllokimin e urdhërit ekzekutiv të shefit të Shtëpisë së Bardhë.

Me këtë lëvizje, presidenti amerikan Barak Obama i cili u përpoq të vinte veton mbi çështjen duke anashkaluar kongresin kundërshtues, ka marrë një goditje të fortë.

Vendimi i gjykatësit Andreë S. Hanen ishte favorizues për Teksasin dhe 25 shtete të tjera që sfidojnë reformën e emigracionit. Sipas gjykatësit, programet e administratës do të shtojnë barrën financiare edhe kështu të rëndë mbi shpatullat e shteteve amerikane, do të tkurrin buxhetet e tyre e do t’i hapin rrugën emigracionit të paligjshëm.

Obama nga ana tjetër u zotua ta apelojë vendimin polemizues, e madje u shpreh i bindur se ka për të dale triumfues nga beteja ligjore për mbrojtjen e asaj që e konsideron si arritjen e tij më domethënëse në politikën e brendshme.

“Ligji është në anën tonë. Historia vetë është në anën tonë. Nuk kemi pse i shkulim një nëne nga krahët fëmijën e lindur këtu, në një vend ku ajo nëne vete mund të ketë jetuar për të paktën 10 vjet, duke parë punën e saj e duke qenë një pjesë e këtij komuniteti”, tha Obama.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë pohojnë se qeveria do të vazhdojë përpjekjet për zbatimin e vendimeve ekzekutive të presidentit, por derisa situata të sqarohet nuk do të pranohen aplikime nga emigrantët pa dokumenta dhe një gjë e tillë, mund të kërkojë muaj të tërë.

Obama pati deklaruar në nëntor se me urdhërin e tij po i dilte në mbrojtje nga deportimi rreth 5 milionë emigrantëve të paligjshëm.

Top Channel