Gjykata speciale, Kuçi prezanton dokumentin e Brukselit

18/02/2015 00:00

Ministri i Drejtësisë së Kosovës, Hajredin Kuçi ka prezantuar të mërkurën para komisionit parlamentar të ligjeve dokumentin konfidencial që është hartuar nga Bashkimi Evropian si bazë për hartimin e ligjit për Gjykatën Speciale, që duhet ta miratojë Kuvendi i Kosovës.

Kuçi tha se ky është një proces i rëndë dhe i ndjeshëm dhe se kjo çështje është pasojë e presionit të ndërkombëtarëve. Ministri Kuçi e pranoi se dokumenti i ardhur nga Brukseli ka elemente të papranueshme, por sipas tij, pala kosovare do përpiqet që aq sa të jetë e mundur të ndërhyjë për ta ndryshuar atë.

“Ne kemi qenë të kujdesshëm që të mos marrim asnjë veprim i cili do të cënojë zbardhjen e drejtësisë dhe do të pengojë funksionimin e dhomave të specializuara, por po ashtu kemi qenë të kujdesshëm që ta mbrojmë sovranitetin e vendit tonë pa e dëmtuar asnjë pikë, bashkë me strukturat e tashme institucionale dhe ligjore”, deklaroi Kuçi.

Kuçi u tha deputetëve se drafti aktual i ardhur nga Brukseli duhet sqaruar mirë, sidomos te pjesa e dhomave të posaçme të Gjykatës, të cilat do të merren me dëshmitarët e mbrojtur, por po ashtu edhe duhet sqaruar vendndodhja e atyre dhomave.

“Ne kemi dashur dhe po përpiqemi që dhomat e specializuara të mos jenë të ndara nga sistemi gjyqësor i Kosovës dhe që selia e dhomave të specializuara të jetë në Kosovë. Ky është propozim i palës tonë. Duhet të garantohet një nivel më i lartë i barazive të palëve, pasi drafti i tanishëm nuk garanton barazi për të gjitha palët që do të jenë në proces”, tha Kuçi.

Kryetarja e komisionit të ligjeve, deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu kundërshtoi ashpër sjelljen e një dokumenti, i cili sipas saj do të diktojë hartimin e ligjeve dhe ndryshimeve Kushtetuese.

“Themelimi i kësaj gjykate do të dëmtojë dhe do të njollosë luftën e drejtë të UÇK-së. Krimet në Kosovë janë kryer nga forcat ushtarake dhe paraushtarake të Serbisë, të drejtuara nga pushteti i Serbisë. Një gjykatë e tillë nuk është bërë për asnjë nga shtetet që dolën nga ish-Jugosllavia e as për vetë Serbinë që ishte agresore në të gjitha luftërat”, tha Haxhiu.

Ndërsa deputeti Armend Zemaj tha se askush nuk duhet t’i frikësohet drejtësisë dhe se ky proces duhet të përkrahet, ndërsa kërkoi që kjo gjykatë të merret edhe me rastet e vrasjeve politike të pas luftës në Kosovë.

Gjatë diskutimeve për dokumentin konfidencial, ministri Kuçi njoftoi gjithashtu deputetët se presidentja ka marrë vendim të posaçëm dhe ka formuar dy grupe që do të merren me shqyrtimin e dokumentit të sponsorizuar nga Brukseli.

Grupi politik udhëhiqet nga vetë presidentja Atifete Jahjaga dhe në të marrin pjesë mes të tjerësh kryeministri Isa Mustafa dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Grupin e ekspertëve që e udhëheq Hajredin Kuçi e përbëjnë edhe krerë të institucioneve të drejtësisë në vend. Kuçi shtoi se do t’i kërkojë presidentes që në këtë proces të thërrasë për të dhënë kontribut edhe partitë opozitare.

Top Channel