Protestë kundër ushqimeve të skaduara

18/02/2015 00:00

Dhjetra qytetarë kanë protestuar në “Sheshin Skënderbej” në Tiranë, lidhur me  produketet ushqimore të skaduara  që u hidhen në treg.

Sipas tyre Autoriteti Kombetar i Ushqimit ka jashtë kontrollit situatën pasi konsumatorëve u shiten produkte ushqimore të cilave u falsifikohen datat e skadencës.

Vetëm dy ditë më parë u denoncua një fabrikë qumështi e cila  abuzonte në këtë formë me kosin e frutave apo djathin e ambalazhuar.

Protestuesit kërkuan që të gjenden këto fabrika dhe t’u jepet dënim maksimal për krimin që kryejnë këta persona karshi qytetarëve.  Të tilla produkte hyjnë lehtësisht në treg, madje edhe në supermarkete ku presupozohet që çdo produkt  të jetë kontrolluar imtësisht.

“Konsumatori shqiptar mashtrohet duke i cënuar edhe shëndetin dhe këta falsifikatorë edhe kur kapen nuk marrin dënimin e merituar”, u shprehën qytetarët protestues.

Top Channel