Rendi, Basha: Jemi në emergjencë kombëtare

18/02/2015 00:00

Partia Demokratike e konsideron emergjencë kombëtare mungesën e rendit
dhe sigurisë në vend. Shpërthimet me tritol, grabitjet e biznesve dhe
bankave, grabitjet e personave dhe zbulueshmëria zero e policisë, sipas
kreut të opozitës, ka të bëjë me qeverisjen e dështuar dhe
bashkëkëpunimin e saj me krimin.

Lulzim Basha thotë se duhen bërë dy veprime për t’i dhënë zgjidhje situatës, njëra i takon qeverisë, tjetra qytetarëve.

“Të kërkojmë largimin e zyrtarëve të lartë që janë në ortakëri me krimin. Kjo është rruga për të kthyer siguri, por ne nuk kemi iluzion se kjo qeveri e lufton krimin. Zgjidhja përfundimtare është largimi i kësaj qeverie dhe këtë do ta realizojmë me qytetarët”, tha Basha.

Kryetari i opozitës nuk i përjashtoi protestat, por ai nuk përmendi një datë se kur do të ndodhin, që do të thotë se për herë të parë, Partia Demokratike në opozitë nuk organizon protestë më 20 shkurt, ditën rrëzimit të bustit të diktatorit.

“Në rast se në 22 nëntor ishim shumë, në protestën e ardhshme do të jemi 2-3 herë më shumë”, deklaroi Basha.

Në këndvështrimin e Lulzim Bashës ajo që ka më shumë rëndësi në përpjekjet për largimin e qeverisë është vota në zgjedhje, dhe opozita beson se në zgjedhjet e afërta të 21 qershorit, Edi Rama dhe Ilir Meta do të marri përgjigje për keqqeverisjen, mashtrimet elektorale dhe drejtimin e vendit nëpërmjet propogandës dhe demagogjisë.

“Ora  e protestës po afron, ora e qytetarëve që do të vendosin me votë nëse e pranojnë apo e refuzojnë këtë model. Ne si opozitë e presim me shpresë orën e të vërtetës, duke besuar që është refuzim për qeverinë dhe mesim për t’u mbajtur mend për mashtrimet”, u shpreh kreu i demokratëve.

Top Channel