Gjykata e Lartë hyn në 2013-ën, 11 mijë dosje në pritje

18/02/2015 00:00

Problemi i dosjeve që presin për t’u shqyrtuar vijon të mbetet i
pazgjidhur. Mbi 11 mijë çështje penale dhe civilë janë stivuar në
Gjykatën e Lartë dhe pavarësisht se kalendari shënon muajin e dytë të
2015, Gjykata e Lartë ka ende nën proces çështje që i përkasin vitit
2013.

Në konferencën për mediat, Kryetari i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori shpjegoi se ky ngërç i mbartur vit pas viti që prej 2007,  fillimisht u shkaktua nga mosplotësimi i vendeve vakante në Gjykatën e Lartë dhe më pas nga fakti që të gjithë i drejtohen me rekurse kësaj gjykate. Për këtë arsye Zaganjori beri thirrje që ligjvënësi të ndërhyjë.

“Mijëra çështje, pothuajse të gjitha, vijnë për shqyrtim edhe në Gjykatën e Lartë. Duhet të ketë një detyrim financiar, duhet të merret pëlqimi, mendimi, mund të ketë një verifikim me raportet ligjore. Në këtë kendvështrim mund të verifikohet rekursi dhe pastaj të jepet leja apo pëlqimi. Nga ana tjetër te çështjet penale ka shumë vend për të rregulluar me ligj për të përcaktuar më qartë çështjet që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me gjykimin e shkurtuar, me gjykimin në mungesë”, tha Zaganjori.

Një ndër çështjet që është prekur nga sindroma e radhëve të gjata konsiderohet edhe dosja 21 janari 2011, për të cilën edhe ndërkombëtarët kanë kërkuar që drejtësia të flasë.

“Ne me gjykim jemi tek 2013 dhe besoj asaj do t’i vijë shumë shpejt radha. Çështja e 21 janarit, kam përshtypjen që maksimumi brenda gjashtëmujorit të parë të këtij viti do të nisë”, deklaroi kreu i Gjykatës së Lartë.

Zaganjori e konsideroi kthim pas idenë për Gjykatën e Kasacionit, ndërsa shprehu rezervat e tij edhe për ligjin e Gjykatës së Lartë të padekretuar nga Presidenti.

“Kemi bërë disa propozime, kishim bindjen që këto do të merreshin parasysh. Nuk u morën parasysh me idenë që do të trajtohen më vonë në kuadër të reformës. Ne kemi propozuar që të rritet operativiteti i shqyrtimit të çështjeve në Gjykatën e Lartë, të përcaktohen më qartë dhe më drejtë kompetencat e kryetarit të Gjykatës, të rritet pesha dhe roli i kryetarëve të kolegjeve”, sqaroi ai.

I pyetur për ngjarjet më të fundit të shpërthimeve me tritol zoti Zaganjori kujtoi se një ndër detyrat e shtetit është të garantojë sigurinë për qytetarët, ndërkohë që e mbylli komentin me një citat.

“Ka një shprehje që thotë se një shtet që nuk është në gjendje të garantojë minimum të rendit dhe qetësisë, nuk është më e mirë se diktatura”, tha ai.

Top Channel