Hahn në Kosovë: S’ka heqje vizash pa frenim të emigracionit

18/02/2015 00:00

Bashkimi Europian nuk do t’i heqë vizat për qytetarët e Kosovës për aq kohë sa emigrimi i tyre ilegal do të vazhdojë dhe numri i azilkërkuesve do të rritet.

Kjo është porosia e komisionerit i BE-së për Politika të Fqinjësisë dhe Negocim të Zgjerimit, Johanes Hahn, gjatë vizitës në Prishtinë, një ditë pas përvjetorit të shtatë të pavarësisë.

Në takimin me kabinetin qeveritar të Kosovës, ku nuk ishin prezent ministrat serbë, Han fillimisht uroi për ditën e festës dhe më pas kërkoi nga autoritetet kosovare që t’i forcojnë kufijtë dhe t’i informojnë qytetarët për rregullat e azilit.

“Ju inkurajoj që të vazhdoni të zbatoni rekomandimet, megjithatë këto rekomandime nuk janë kërkesat e vetme që duhet të përmbushen. Para se komisioni të mund të rekomandojë statusin pa viza për qytetarët e Kosovës, numri i azilkërkuesve në vendet e BE-së dhe numri i njerëzve që qëndrojnë në zonën Shengen në mënyrë të parregullt duhet të bjerë. Prandaj ju bëj thirrje që të forconi kontrollet kufitare dhe të njoftoni udhëtarët se atyre nuk mund t’u jepet azili”, deklaroi Hahan.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa theksoi rëndësinë e qarkullimit të lirë të qytetarëve në vendet e BE-së, ndërsa shtoi se për të kthyerit përgjegjësinë do ta marrë qeveria. Ai kërkoi përkrahje nga Bashkimi Europian përsa i përket punësimit sezonal të rinisë në BE në mënyrë që të stabilizohet situata.

“Një prej kërkesave tona dhe shqetësimeve tona është edhe çështja e liberalizimit të vizave dhe përmbushjes së detyrimeve që kanë të bëjnë me të, por edhe vullnetit të mirë të vendeve të BE-së që sa më shpejt t’u mundësohet qytetarëve që të qarkullojnë lirshëm, ashtu siç bëjnë qytetarët e tjerë. Nuk mbeti pa u diskutuar emigrimi dhe masat që ne po marrim si qeveri për frenimin e tij”, deklaroi Mustafa.

Reformat ekonomike dhe sidomos kur bëhet fjalë për investimet e huaja dhe lehtësirat e të bërit biznes ishin një çështje tjetër tek e cila e vuri theksin komisioneri europian e mbi të cilën autoritetet kosovare duhet të punojnë. Ai premtoi ndihmën e BE-së në kuadër të programit të IPA-s.

Temë diskutimi ishte dialogu me Serbinë dhe Gjykata Speciale, për të cilën Hahn kërkoi që të themelohet sa më shpejt. Lidhur me anëtarësimin e Serbisë në BE pa e njohur pavarësinë e Kosovës komisioneri Hahn u përgjigj:

“Ne i pranojmë anëtarët e rinj vetëm nëse konfliktet rajonale janë zgjidhur dhe për këtë varet nga vendet kandidate se sa shpejt do të lëvizin në këtë drejtim”.

Sa i përket mos pjesëmarrjes së ministrave serbë në takimin e përbashkët, kryeministri Mustafa tha se Lista Srspka është ende pjesë e qeverisë, por i takon asaj të vendosë për pjesëmarrjen në mbledhje.

“Unë shpresoj që së shpejti ata do të kthehen. Nuk kam përgjigje se kur do të vijnë në mbledhjen e qeverisë, por dihet që do të bëjnë edhe propozimin për Jabllanoviç, i cili nuk është më anëtar i kabinetit. Ne jemi të interesuar që të kemi bashkëpunim të mirë”, shtoi Mustafa.

Zëvëndeskryeministri nga radhët e Lista Srspka, Branimir Stojanoviç priti në një takim të veçantë në ndërtesën e Komisionit Europian komisionerin për Zgjerim. Takime të veçanta me komisionerin europian zhvilluan edhe presidentja e Kosovës dhe përfaqësuesit e opozitës.

Top Channel