Izrael, zbulohet një thesar 1000-vjeçar me monedha ari nga disa zhytës

18/02/2015 00:00

Zhytësit menduan fillimisht se objekti me shkëlqim, që pikasën nga thellësia e detit pranë brigjeve izraelite, mund të ishte ndonjë monedhë e hedhur rastësisht. Por, shumë shpejt kuptuan se kishin ngecur në një “vrimë” shumë më të vlefshme, në portin antik mesdhetar të Cezarit (Caesarea).

Zbulimi i tyre fatsjellës, vetëm pak javë më parë, çoi drejt një thesari prej afro 2000 monedhash ari, që dergjeshin në fund të detit për rreth një mijëvjeçari, bëri të ditur Autoriteti i Antikitetit në Izrael gjatë së martës.

Ky është grumbulli më i madh i monedhave të arta të zbuluara ndonjëherë në Izrael, madje mund të çojë në gjetje edhe më të rëndësishme arkeologjike.

“Me shumë mundësi mund të ketë ndodhur ndonjë mbytje anijeje, të ndonjë thesari dhe zyrtarësh të lartë, që mund të kenë qenë në rrugë e sipër drejt qeverisë në Egjipt, për t’u dërguar taksat e mbledhura”, tha Kobi Sharvit, drejtor i Njësisë Arkeologjike të Marinës, pjesë e autoritetit të antikitetit.

Ai dha disa shpjegime mbi origjinën e thesarit. Ndoshta monedhat ishin për të paguar pagat e ndonjë garnizoni ushtarak në Caesarea, spekulon Sharvit, ose kanë ardhur nga një anije tregtare që është mbytur teksa udhëtonte nga porti në port në brigjet e Mesdheut.

Arkeologët e Marinës kanë planifikuar të zhvillojnë një mision rikuperimi për të zbuluar më tepër mbi këtë thesar.

Vetë monedhat janë me prerje të ndryshme dhe shumë mirë të ruajtura, tha autoriteti i antikitetit. Më e vjetra prej tyre është një çerek dinari i fabrikuar në Palermo të Siçilisë, në gjysmën e dytë të shekullit të IX.

Shumë prej tyre mendohen të jenë nga Kalifati Fatimid, perandoria e muslimanëve shiitë që ka sunduar pjesë të tëra të Afrikës Veriore dhe Lindjes së Mesme rreth fundit të mijëvjeçarit të parë.

Sharvit thotë se monedhat e përmasave dhe peshave të ndryshme, janë zbuluar nga stuhitë dimërore. Ai falënderoi njerëzit që e zbuluan këtë thesar, anëtar të një klubi lokal zhytësish, për raportimin e shpejtë të zbulimit të tyre, në vend që t’i mbanin për vete ato monedha.

“Këta zhytës janë qytetarë model për t’u marrë shembull”, tha ai. “Ata zbuluan floririn, por kanë një zemër flori që dashuron më së shumti vendin dhe historinë e tij”.

Top Channel