Maqedoni, studentët zgjerojnë “zonën autonome”; bllokohen fakultetet

18/02/2015 00:00

Studentët e Universitetit Kirili dhe Metodi në Shkup vazhdojnë të zgjerojnë të ashtuquajturën “Zonë Autonome Akademike”, duke e çuar në 12 numrin e fakulteteve që i kanë bllokuar. Që nga dita e mërkurë, mësimi është ndërprerë edhe në Fakultetin e Arkitekturës dhe Ndërtimtarisë.

Studentët kanë bllokuar hapësirat e këtyre dy fakulteteve dhe kanë paralajmëruar se do të qëndrojnë brenda derisa pushteti të pajtohet për hartimin e një ligji të ri për arsim të lartë, që nuk përfshin ndërhyrjen e shtetit.

“Ligji i ri për arsimin e lartë duhet të përfshijë kërkesat reale të studentëve. Ne kërkojmë që të merret vendimi që të ruhet autonomia e universiteteve, që në të kaluarën është shkelur në disa raste dhe të qartësohet implementimi i sistemit të Bolonjës”, deklaroi një student.

Nisma për bllokimin e fakulteteve është zgjeruar edhe në qytetin e Manastirit. Ndërkohë, të enjten pritet të mbahet takimi i parë mes përfaqësuesve të studentëve dhe atyre të Ministrisë së Arsimit, në përpjekje të gjetjes së një zgjidhjeje për situatën e krijuar. Studentët janë skeptikë pasi nuk besojnë se pushteti është i interesuar për të zgjidhur problemin duke pranuar kërkesat e tyre.

“Ne jemi këtu për të treguar se nisma jonë për bllokimin e fakulteteve po zgjerohet me shpejtësi të madhe. Jemi këtu për të treguar se nuk jemi naivë dhe se nuk do të tërhiqemi derisa të përmbushen kërkesat tona. Jemi këtu për t’i bërë me dije pushtetit se nuk mund të na anashkalojë gjatë hartimit të politikave që kanë të bëjnë me arsimin e lartë”, deklaroi një studente.

Në hapësirat e fakulteteve ku të rinjtë kalojnë edhe natën, në vend të mësimit mbahen programe të ndryshme, zhvillohen debate dhe organizohen ahengje.

Top Channel