Rritja e rrezikut nga ISIS në Libi, Italia e gatshme për kontribut në shuarjen e kaosit

18/02/2015 00:00

Italia ka bërë thirrje këtë të mërkurë për një ndërhyrje urgjente ndërkombëtare për të ndalur Libinë të futet në kaos, duke njoftuar mbi gatishmërinë për të mbikëqyrur një armëpushim dhe për të stërvitur forcat e armatosura lokale.

Këshilli i Sigurisë në OKB do të mblidhet më vonë gjatë së mërkurës, për të diskutuar mbi Libinë, ku dy qeveritë rivale të mbështetura secila nga ish-rebelë që rrëzuan Muammar Gaddafin në vitin 2011, po luftojnë për marrjen e pushtetit.

Rreziku më i madh u bë i dukshëm gjatë së dielës, kur Shteti Islamik publikoi një video që tregonte ekzekutimin e 21 të krishterëve kopt egjiptianë në Libi.

Ministri i Jashtëm italian, Paolo Gentiloni, tha para Parlamentit se aleancat e mundshme mes milicive lokale dhe militantëve të Shtetit Islamik, të frymëzuar nga homologët e tyre në Siri dhe Irak, rrezikojnë ta destabilizojnë Libinë dhe vendet fqinje.

“Përkeqësimi i situatës në terren detyron komunitetin ndërkombëtar të lëvizë më shpejt, përpara sesa të jetë vonë”, tha ai gjatë një deklarate speciale për krizën në fjalë. “Ekziston një rrezik i qartë për aleanca mes grupeve lokale dhe ‘Daesh’-ëve”, tha ai, duke iu referuar akronimit në arabisht të Shtetit Islamik, ISIS. “Situata duhet të monitorohet me vëmendjen maksimale”.

Italia, ishujt jugorë të së cilës janë vetëm 300 km larg nga brigjet e Libisë, është alarmuar së tepërmi pasi vendi afrikan është shthurur thuajse tërësisht që kur forcat perëndimore ndihmuan në rrëzimin e Gaddafit.

Qindra dhe mijëra emigrantë kanë mbërritur në jug të Italisë përmes varkave të pasigurta, ndërkohë që kalimi i tyre nga Libia është ndihmuar nga trafikantë që operojnë lirshëm në këto kushte kaosi, apo anarkie. Javën e kaluar, më shumë se 300 persona u raportuan të ishin mbytur në det, në përpjekje për të kaluar drejt Italisë.

Përveç se po nxisin ndienjat antiemigracion në Itali, një vend që po vuan nga një krizë e thellë ekonomike në vetëvete, kriza e shkaktuar nga ISIS ka ngritur edhe dyshime mbi sigurinë, veçanërisht pas ekzekutimeve ndaj të krishterëve egjiptianë, dhe mesazhit kërcënues të ISIS kundrejt Romës, strehë edhe e Papa Françeskut.

Gjithsesi, ministrja e Mbrojtjes Roberta Pinotti tha përpara Parlamentit se nuk është gjetur ende asnjë provë për kërcënime në rritje ndaj Italisë në veçanti. “Jemi në rrezik po aq sa ç’janë edhe vendet e tjera që po luftojnë terrorizmin”, tha ajo.

Gentiloni foli edhe me Sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry, gjatë së martës, kur Italia iu bashkua Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Spanjës dhe Britanisë, në thirrjet për një qeveri të unitetit kombëtar në Libi. Ai tha se takimi i KS-së gjatë së mërkurës do të duhet të prodhojë hapa konkretë për krizën e Libisë.

Italia është e gatshme të ndihmojë në monitorimin e një armëpushimi, por edhe të stërvisë një ushtri të rregullt brenda kuadrit të një misioni të nisur nga OKB, tha ai. Por Pinotti paralajmëroi se çdo veprimtari ushtarake do të kishte nevojën e një marrëveshjeje me Libinë fillimisht.

Top Channel