Kemi parë sfilata modelesh, sfilata bukurie, madje dhe kostumesh popullore, por sfilata e djeshme në Pallatin e Kulturës së Kamzës ishte vërtet e veçantë.

Një sfilatë me çifteli, dhe jo me çifteli të zakonshme… Por me forma nga më të rrallat si në formë ore, lopate, dore, kazme, dielli, sharre, breshke, madje dhe pushke.

“Sfilata me çifteli ishte interesante dhe një risi, sepse zakonisht nuk kemi parë sfilata të tilla. Më shumë më bënë përshtypje idetë e tyre”.

“Sfilata e instrumenteve popullore të prodhuara nga mjeshtërit popullorë ishte një gjetje interesante. Më bëri shumë përshtypje e nuhati dhe e kuptoi, duke e mbështetur me shumë duartrokitje”.

“Kishim menduar me kohë për këtë koncert dhe, duke qenë sot një datë historike, ne që nuk kishim mundësi të ishim në qytetet e Kosovës, të paktën ta përshëndesnim Pavarësinë e Kosovës nga Tirana”.
 
Të gjitha këto çifteli janë prodhuar nga Gjin Pepkolaj, një 50-vjeçar i apasionuar pas muzikës që jeton prej shumë vitesh në Kamëz. Pesë vjet më parë, atij i lindi idea për të transmetuar me formën e instrumentit më të dashur për të, mesazhe të ndryshme.

Gjini në jetën e përditshme shet kaseta muzikore dhe në kohën e lirë, në aktivitete të ndryshme, i bie çiftelisë e këndon. Famljarët e tij e dinë se, sapo ai të hyjë në shtëpi, do të shkojë te këndi i tij i posaçëm për t’iu përkushtuar idesë së radhës.

Në fakt, atëherë kur e nisi, nuk e dinte se një ditë ky koleksion çiftelish do bëhej pjesë e rëndësishme e ëndrrës së tij të madhe: mbajtjes së një koncerti recital.

50-vjeçari nga Tropoja zgjodhi pikërisht ditën e Pavarësisë së Kosovës, për të bërë realitet ëndrrën e tij të hershme. Koncerti recital, i pari në qytetin e Kamzës, i dha mundësinë për t’i sjellë sa më denjësisht instrumentat e krijuar nga ai, pikërisht nëpërmjet një sfilate.

Top Channel