Blerim Asllani, disleksiku që dëgjoi për herë të parë mbi çrregullimin në moshën 25-vjeçare

18/02/2015 00:00

Për herë të parë dëgjoi për disleksinë në moshën 25-vjeçare, kohë kur jetonte në Angli. Teksa një i njohur po i tregonte për simptomat e këtij çrregullimi neurologjik, Blerim Asllani nisi të mendonte për problemet që kishte me veten, të cilave deri në ato momente nuk u kishte vënë një emër.

Fjala disleksi ndezi “llambën e kuqe” në kokën e tij. Ajo e riktheu pas në fëmijëri, kohë kur mendonte dhe pyeste veten, se përse nuk lexonte po aq rrjedhshëm sa nxënësit e tjerë dhe nuk përparonte aq shumë në mësime.

Termi i ri që mësoi, dhe që përshtatej me të gjitha shqetësimet që ai kishte, e nxiti të lundronte në internet. Herën e parë e pati të vështirë, pasi nuk dinte as sesi shkruhej fjala disleksi. Por më vonë këmbënguli dhe e gjeti fjalën e duhur.

Që nga ajo ditë e deri më sot, Blerimi e kalon pjesën më të madhe të përditshmërisë së tij duke kërkuar material në internet. Filmin ku tregohet jeta e një fëmije disleksik e sheh shpesh. Në disa sekuenca gjen edhe episode të së kaluarës.

Tashmë, këtë kënd të shtëpisë së tij, ai e ka kthyer në një ministudio montazhi. Në moshën 36-vjeçare, ai mendon sesi t’u vijë në ndihmë të tjerëve, që vuajnë nga i njëjti çrregullim, por që s’kanë njohuri rreth tij.

Një dokumentar të gjetur në YouTube, i quajtur “Të përqafosh disleksinë”, fillimisht e përktheu nga anglishtja dhe e titroi, pa menduar mirë se leximi nuk është pika më e fortë e njerëzve si ai.

Përkthimi është shndërruar në dublim dhe, shumë shpejt, Blerim Asllani do ta hedhë sërish në YouTube, për të ndihmuar sadopak të gjithë ata persona, që nuk e kanë përqafuar ende sëmundjen dhe bashkëjetojnë me të pa e ditur.

Top Channel