Çfarë dëshirojnë të bëjnë shqiptarët kur të rriten?

18/02/2015 00:00

Një punë, që të bën të pasur për një kohë të shkurtër dhe pa shumë mund! Kjo është ëndrra e të rinjve shqiptarë, ndërsa zgjedhin profesionin e së nesërmes për të pasur parà, pushtet dhe famë.

Studimi i zhvilluar për Europën Juglindore tregon se shqiptarët kanë ende në krye të listës së profesioneve të dëshirura, profesione nga të cilat mund të përfitojnë nëpërmjet ryshfetit.

Ata që nuk duan të pasurohen nëpërmjet ryshfetit, mendojnë të ndryshojnë realitetin e tyre, duke shprehur talentin në televizion. Madje, Kim Kardashian ka frymëzuar shumë të rinj të bëhen protagonistë, edhe nëse nuk kanë një talent.

Ndërsa ajo që ka filluar të shihet si një profesion i mirëfilltë është politika. Shumë të rinj e shohin të ardhmen aty. Jo gjithmonë duke u investuar, por duke marrë pjesë në mitingje.

“Ndër profesionet e kërkuara prej shqiptarëve mendoj se janë ato të lidhura me Ekonomikun, financë apo marketing; Juridiku dhe Mjekësia”.

“Ndoshta ekonomistë më së shumti, por preferohen shumë edhe farmacia dhe stomatologjia”.

“Më së shumti shkencat sociale, shkenca politike, por pa harruar edhe degët e Arteve, shumë të pëlqyera”.

Disa ditë më parë është publikuar në Britani një studim për profesionet më të lakmuara. Në krye të listës së profesioneve të dëshiruara ishin shkrimtarë, librarë, akademikë, astronautë, zjarrfikës dhe moderatorë.

Në Britani, më shumë njerëz do të donin të ishin kontabilistë sesa yje kinemaje.

Ndërsa në Gjermani, një studim ka listuar profesionet më të preferuara në një tjetër mënyrë. Beqarët kanë renditur profesionin, që do të dëshironin të kishte partneri i tyre në të ardhmen.

Femrat pëlqejnë më shumë meshkujt me këto profesione: mjekë, arkitektë, psikologë, hetues, shkencëtarë, policë, profesorë, avokatë, gazetarë dhe inxhinierë.

Ndërsa meshkujt pëlqejnë më shumë femrat: avokate, stjuardesa, mjeke, drejtoresha, shkencëtare, hetuese, arkitekte, inxhiniere, stiliste dhe mësuese.

Top Channel