Nis ndërtimi i rrugës Banjë-Gramsh; projekti ofron 600 vende pune

18/02/2015 00:00

Nisi këtë të mërkurë ndërtimi i rrugës së re Banjë-Gramsh, 15 km e gjatë, me një bashkëfinancim të kompanisë “Devoll Hydropower” dhe qeverisë shqiptare.

Ministrat e Energjitikës dhe të Transporteve theksuan se kjo rrugë do t’i shërbejë jo vetëm hidrocentralit të Banjës, një nga projektet më të mëdha energjitike në vend, por edhe të gjithë banorëve të zonës pasi është konceptuar në mënyrë të tillë që të lidhë disa komuna.

“Realisht është një nga veprat më të rëndësishme në infrastrukturë dhe shpresojmë se do të mbarojë në kohë, duke qenë se kompania e kontraktuar u ka qëndruar gjithmonë afateve për vepra të rëndësishme”, deklaroi ministri Damian Gjiknuri.

“Është shumë e rëndësishme të theksohet se rruga do t’i shërbejë përdoruesve, por edhe banorëve të zonës sepse që në projekt ajo është konceptuar me të gjithë infrastrukturën dhe elementet e nevojshme për t’u lidhur me komunat përreth”, tha nga ana tjetër ministri Edmond Haxhinasto.

Në ndërtimin e kësaj rruge do të angazhohen rreth 600 punëtorë, kryesisht të zonës së Gramshit. Në projektet e mëvonshme ky segment është parashikuar të lidhet edhe me Elbasanin dhe Korçën, një investim i cilësuar si mjaft i rëndësishëm.

Top Channel