Taulant Balla: Opozita të mbështesë policinë!

18/02/2015 00:00

Taulant Balla, në një deklaratë për mediat, i ka bërë thirrje opozitës që të “mbështesë forcat e policisë në luftën kundër krimit dhe të solidarizohet me policinë sa herë krimi godet”.

Deputeti socialist theksoi se “nuk ka asnjë opozitë, në asnjë vend të botës, që të lumturohet kaq shumë sa Partia Demokratike sa herë krimi godet dhe nuk ka asnjë opozitë, në asnjë vend të botës, që të pezmatohet kaq shumë sa Partia Demokratike, kur krimi goditet nga policia. Ky është rasti fatkeq i opozitës në Shqipëri.”
 
“Janë ende të freskëta deklaratat e Partisë Demokratike kur merrte në mbojtje prodhuesit dhe trafikantet e drogës në Lazarat,
teksa policia e clironte fshatin dhe ringriti shtetin. Janë ende të freskëta sulmet monstruoze në drejtim të policisë, vetëm dhe vetëm pse zbuloi dhe asgjësoi një laborator të sofistikuar droge në Elbasan. Natyrshëm që na vjen keq për nivelin ku ka rënë opozita dhe përsëri sot i kujtojmë drejtuesve të Partisë Demokratike se vendi ka nevojë për një opozitë që inkurajon dhe mbështet forcat e policisë në luftën kundër krimit dhe të solidarizohet me policinë sa herë krimi godet”, shtoi Balla, i cili nënvizoi se “krimi nuk ka ngjyrim politik”.

Më tej, Balla tha: “Pyetja që shtrohet është pse PD-ja del e para dhe bën akuza monstruoze kundër shtetit, në mbrojtje të kriminelëve. Në PD thonë se Lulit ia ka mbushur mendjen Sali Berisha që mund ta rrezojë Edi Ramën me bombat e rrugeçërve dhe me revoltën e hajdutëve të dritave. Aq shumë ia ka mbushur mendjen sa i ka ikur mendja fare deri në pikën që shkoi të kërkonte ndihma në të thatë për një fshat që nuk ka pasur asnjë përmbytje. Tashmë është kuptuar që deri në qershor mban kandili i Lulit ne zyrën e drejtorit të SHQUP-it. Sot dua t’i drejtoj Lulzim Bashës një pyetje: Emiliano Shullazi në emër të Lulzim Bashës në vitin 2011 prishte takimet elektorale të Partisë Socialiste. Cfarë marrëveshje kishe ti Lulzim me këtë person, që e përdore për të prishur mitingjet e opozitës kur ti ishe Ministër i Brendshëm dhe kandidat i Saliut për Kryetar të Bashkisë së Tiranës? Pa i dhënë përgjigje kësaj pyetje, nuk ke asnjë të drejtë morale apo politike të baltosësh Policinë e Shtetit dhe qeverinë aktuale.”

Top Channel