Kriminaliteti, ekspertët: Mungon goditja dhe arrestimet e shpejta

18/02/2015 00:00

Ekspertët mendojnë se situata e rënduar e krimit në vend po vjen si rezultat i mosgoditjes së tij. Për ekspertin e sigurise publike, Alfred Duka, krimi shfrytëzon më së miri dobësinë e punës policore dhe zgjeron aktivitetin e tij.

“Goditja e krimit është parandalim. Duhet të dimë se autorët e krimit dhe logjika kriminale kanë receptorë shumë sensibël, kanë ndjeshmëri të lartë për të perceptuar nivelin e gatishmërisë së luftës kundër tyre. Ata janë në një vigjilim të jashtëzakonshëm dhe sapo shohin dobësinë më të vogël, e shfrytëzojnë dhe e kthejnë atë në favorin e tyre. Krimi për shkak të kësaj dobësie ka marrë krahë dhe nuk dihet sesi do të ndalet”, deklaron Duka.

Eksperti Duka e lidh situatën në vend edhe me fushatën elektorale. Ai thotë se partitë politike bëjnë gjithmonë lëshime për njerëz problematikë në prag të fushatave elektorale.

“Ka një lloj dorëlëshuarje ndaj këtyre personave, të cilët partitë mund t’i shfrytëzojnë për situatat elektorale”, nënvizon Duka.

Sipas ekspertit, deklaratat publike i japin ndihmë krimit. Në këtë drejtim, avokat Duka kritikon deklaratën e ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri ndaj shefit të SHISH.

“Ajo është një deklaratë që i jep krahë të jashtëzakonshme krimit. Nëse krimi e kupton se institucionet shtetërore kanë këto marrëdhënie me njëri-tjetrin, kanë këtë nivel bashkëpunimi që është për të dëshiruar, atëherë krimi e pushton këtë boshllëk”, shton Duka.

Duke iu referuar vjedhjeve të bankave, Duka thotë se janë vende të monituara më së miri dhe grabitësit lënë gjurmë, ndaj policia duhet të shpejtojë me arrestime, në të kundërt krimi do shtohet.

Top Channel