Greqi, Pavlopoulos zgjidhet President i Republikës që në raundin e parë

18/02/2015 00:00

Parlamenti grek ka zgjedhur në mbrëmjen e së mërkurës, që në seancën e parë të votimit, Presidentin e ri te vendit, Prokopis Pavlopoulos, kandidatura e të cilit ka tejkaluar me një diferencë të madhe 180 votat e nevojshme për postin e kreut të shtetit.

233 ligjvënës të dy grupeve parlamentare, të Radikalëve të Majtë dhe Grekëve të Pavarur që mbështesin Qeverinë, si dhe ata të Demokracisë së Re, kanë votuar ‘pro’ kandidatit të djathtë të propozuar nga Kryeministri Tsipras.

Në votim kanë abstenuar 32 deputetë të Partisë Komuniste dhe të Agimit të Artë, deputetët e Pasokut dhe të partisë “Lumi” kanë votuar për kandidatin e propozuar prej tyre, që ka marrë vetëm 30 vota, ndërsa mungonin për arsye të ndryshme pesë deputetë. Pavlopoulos bëhet kështu Presidenti i shtatë i Republikës greke, që pas rënies së juntës ushtarake në vitin 1974.

Me zgjedhjen e tij Kryeministri Tsipras mbyll një front të hapur në politikën e vendit, që kishte shkaktuar zgjedhjet e parakohshme, pasi kandidati i propozuar nga ish-Kryeministri Samaras në dhjetorin e kaluar, nuk përqendroi votat e duhura parlamentare. Betimi i Presidentit të ri do të bëhet në 12 mars, ditën që mbaron edhe mandati i Presidentit aktual, 85 vjeçarit Karolos Papulias.

Zgjedhja e Pavlopoulos koinçidon me dy lajme të mira për Athinën zyrtare. Qeveria “Tsipras” dhe kreditorët duket se janë shumë pranë nënshkrimit të një marrëveshje të përbashkët për zgjatjen e afatit të kredisë për Greqinë, ndërsa BQE ka pranuar të zgjasë edhe për dy javë likuiditetin për bankat greke, duke e rritur madje edhe me 3.5 mld të tjera dhe duke e çuar në 68.5 mld, shumën që u jep bankave greke në këto momente të vështira.

Top Channel