Kosovë, studentët protestë përpara Rektoratit

18/02/2015 00:00

Grupi i Pavarur Studentor organizoi të mërkurën një marsh protestues nga Qendra Studentore në oborrin e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ku kanë qëndruar më pas për rreth 2 orë.

Këta studentë kanë kërkuar 5 afate të dhënies së provimeve gjatë një viti, ndërsa në statutin e Universitetit janë parashikuar vetëm 3 të tillë. Një kërkesë tjetër ka qenë që çdo muaj të ketë afate të dhënies së provimit për studentët e vitit të fundit, ndërsa kalimi i pragut për vitin e dytë të mundësohet me 7 provime me notë kaluese, e jo me 9 të tillë siç është aktualisht.

Studentët u pritën në takim nga zëvendësrektorja për mësim, e cila sipas tyre tha se do të ndryshohet projektligji për arsimin e lartë. Por, megjithëkëtë, studentët thanë se nuk do të ndalen së protestuari.

Organizatorët madje kanë paralajmëruar protestë për ditën e martë të javës së ardhshme, duke thënë se protesta mund të shoqërohet me aksione të dhunshme dhe se nuk do ta lajmërojnë te organet e rendit.

“Protesta u mbyll, sepse ne e kishim një marrëveshje me Policinë e Kosovës, që situata të mos dilte nga kontrolli dhe në mënyrë që, askush të mos marrë përgjegjësi dhe mos të përballet me organet e rendit, për shkak të një rektori të vetëzgjedhur, i cili ka uzurpuar tërësisht Rektoratin e UP-së, apo të mos lëndohet. Ne, siç e thamë edhe më parë, nuk do të lajmërojmë më marshime në Policinë e Kosovës, por do të ketë aksione të dhunshme deri në realizimin e kërkesave tona gjithëstudentore. Jo protestë të dhunshme, por protestë gjithëstudentore, ku askush nuk merr përgjegjësi për veprimet e të tjerëve”, tha Argjend Suftolli, përfaqësues i GPV.

Studentëve iu bashkuan edhe përfaqësues të organizatave të dala nga lufta.

Top Channel